Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për herë të dytë për përleshjen fizike gjatë seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës.
Fillimisht, Rama e kishte quajtur “të turpshme” sjelljen e opozitës, gjersa uroi që ajo të distancohej nga veprime të kësaj natyre.
Kryeministri shqiptar edhe një herë ka kërkuar të njëjtën gjë nga opozita.
Edhe pse nëpërmjet një postimi në Twitter ka shkruar se “e kanë mbytur miqtë“ nga Kosova se me atë deklaratë ka mbrojtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Më ‘mbytën’ miq nga Kosova pse e paskam mbrojtur Albinin, se shishen e parë e paska gjujtur Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hapur kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se nuk i duhet me dit se kush e ka gjuajtur shishen e parë, sipas tij, nëse demokracia parlamentare katandiset në kush “gjujti i pari, atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë”.
“Edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme”, ka shkruar tutje Rama.
Ndër të tjera, ai ka deklaruar se e di mirë se sa “poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë së saj”.
“Unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë“, ka thënë Rama.
Të enjten në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur një përleshje mes deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit gjatë fjalës së kryeministrit Albin Kurti.
Përleshja ka filluar pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar një fotografi të vendosur në foltoren nga deputetja e PDK-së, Ganiteme Musliu.
Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjujt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë! Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por… pic.twitter.com/ahBsN5t8TS
— Edi Rama (@ediramaal) July 13, 2023