Rama ndërpret marrëveshjen për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka ndërprerë marrëveshjen për shfrytëzimin e hapësirës publike në GrandHotel, duke thënë se vendimi është marrë pasi, sipas tij, kanë mbetur pa përgjigje çështje që lidhen me transparencën.
Rama ka kritikuar reagimin e gazetares Jeta Xharra, duke thënë se ajo nuk ka sqaruar detajet e nevojshme për çështjet kryesore.

“Jeta Xharra nuk paske dhënë asnjë sqarim për çështjen thelbësore. Përkundrazi, reagimi si i tillë ngriti edhe më shumë pikëpyetje”, ka shkruar ai.

Sipas tij, deklarata se identiteti i personit dihet, por nuk bëhet publik, vetëm sa e rëndon situatën.

“Deklarata se ‘e dimë kush është, por nuk e tregojmë’ është pikërisht ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse identiteti dihet, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: Kënd po e mbroni?”, ka theksuar Rama në reagimin e tij publik ne rrjetin social “Facebook”.
Ai ka bërë të ditur se për këtë arsye Komuna ka ndërmarrë masa.

“Përderisa këto pyetje mbesin papërgjigje, si Kryeqytet nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, sot ju kemi dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel”, ka deklaruar ai.

Rama ka shtuar se hapësirat publike janë pronë e qytetarëve dhe nuk duhet të përdoren nga organizata që, sipas tij, cenojnë interesin publik.

“Nuk mund të lejojmë që hapësirat publike, të cilat janë pronë e qytetarëve të Prishtinës, të shfrytëzohen nga organizata që, me veprimet e tyre, cenojnë interesin e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën për çështje qëlidhen drejtpërdrejt me besimin e publikut”, ka shkruar Rama.

Në fund, kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar se Komuna do të rishikojë edhe marrëveshjet e tjera.

“Në ditët në vijim do të rishqyrtojmë edhe çdo marrëveshje tjetër për shfrytëzimin e hapësirave publike që janë ndarë e financuar nga Kryeqyteti”, ka përfunduar Rama.

Të fundit nga rubrika