Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përveçse për Shqipërinë, para anëtarëve të Këshillit të Evropës ka folur edhe për Kosovën.

Rama ka deklaruar se ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë, janë aty për shkak të lajmeve të rreme. Rama e përmendi librin e ish-prokurores Carla Del Ponte, në të cilin sipas tij u akuzuan pa të drejtë për trafikim organesh krerët e UÇK-së.

Kryeministri i Shqipërisë po ashtu pati kritika edhe për Këshillin e Evropës, për miratimin e një raporti të tillë, i cili sipas tij është krejtësisht i paargumentuar.

Tutje, për librin e Carla Del Ponte-s, Rama tha se në atë kohë e kishte marrë vëmendjen e njerëzve të presidentit rus, Vladimir Putin. Rama përmendi ish-kryesuesin e delegacionit rus, Konstatin Kosaqev, i cili nën direktivat e Putin-it e kishte paraqitur një mocion apo raport me titull “Trajtim çnjerëzor i njerëzve dhe trafikim i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”. Sipas Ramës, krejtësisht i mbushur me propaganda dhe pa asnjë fakt.

“Libri me kujtime tërhoqi vëmendjen e njerëzve të Vladimir Putinit, këtu në këtë Këshill. Një njeri i tillë, Konstantin Kosaqev, kreu i delegacionit rus në Asamblenë e Këshillit të EU-së, në vitin 2008, paraqiti një mocion për të gjithë paraardhësit tuaj. Dëgjoni titullin “Trajtim çnjerëzor i njerëzve dhe trafikim i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, kështu e quajnë pushtuesit Kosovo”, ka thënë ai.

“Kosaqev më vonë u përball me sanksione nga SHBA dhe nga BE, natyrisht jo për diçka të mirë. Por, ndërkohë që ky njeri ra, puna e tij mbeti dhe vazhdoi përmes Këshillit të Evropës. Mocioni i tillë u mor nga ky organizëm i nderuar i cili e bekoi një ekip për ta përgatitur një raport, që pretendoi që kreu hetime në emër të këtij këshilli”, ka thënë ai.

Po ashtu, Rama, kërkoi që shteti i Kosovës, të pranohet pa vonesa në Këshill të Evropës.

“Pa këtë të vërtetë, Bashkësia Ndërkombëtare do të vazhdonte të rrinte mënjanë, siç ka bërë me dekada. Kosova ka paraqitur kërkesën për t’u paraqitur në Këshill të Evropës, e mbështesim pa rezerva. Por nëse njohja e Kosovës nga Serbia mund të marrë në kohë, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës nuk duhet të marrë kohë”, ka thënë ai.