Rama në KiE: Raporti i Dick Marty-t u financua nga Putini, duhet ta hiqni
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu drejtua Këshillit të Evropës, duke kërkuar heqjen e raportit të Dick Marty-t të vitit 2011, që sipas tij është i financuar nga presidenti rus Vladimir Putin. Ai, gjithashtu, ngriti paralele në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke thënë se akuzat për […]
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu drejtua Këshillit të Evropës, duke kërkuar heqjen e raportit të Dick Marty-t të vitit 2011, që sipas tij është i financuar nga presidenti rus Vladimir Putin.
Ai, gjithashtu, ngriti paralele në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke thënë se akuzat për trafikim të organeve nuk janë të bazuara.
“Kërkoj ndjesë sepse më duhet të bëj një rrëfimin jo fort të këndshëm. Si shqiptar është e pamundur të shmang heqjen e paraleles mes Ukrainës e Kosovës, mes Zelenskyt e Thaçit. Në këtë samit, nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe Thaçit nisi në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të këtij këshilli, Federatës Ruse. Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e mbështetur në një raport të vitit 2011 të Këshillit të Evropës i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësues të Putinit në KiE. Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u pritën si pikënisja e një fushate njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e botës demokratike, por e mbështetur në një raport të vitit 2011 i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga presidenti Putin. Akuza të pabazuara për trafikim të organeve njerëzore u ngritën si një fushatë kriminale që njollosi Shqipërinë dhe Kosovën, dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, m’u duk sikur pash presidentin Zelensky të gjykuar 10 vjet më vonë nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi akuza absurde”, ka deklaruar Rama.
“Ndjesë për këtë çelje brutalisht jokonvencionale, që mund të thuhet se ka thyer në copa pianon ku u luajt kënga Ave Maria, por është tejet shkurajuese të dish se situata ku ndodhet ish-presidenti i Kosovës dhe lufta çlirimtare e saj nisi nga Këshilli i Evropës. Do të isha fajtor nëse do të rrija i heshtur, se asambleja e Këshillit Moral ka detyrimin që të gjykojë dhe rishikojë çdo gabim e në këtë rast t’i hapë rrugë tërheqjes së raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e organeve njerëzore të çuar nga organet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq sesa të bëhej ky gabim i rëndë para 12 vjetësh ku shumë votuan atë raport të turpshëm”, ka theksuar Rama.
Rama ka përfunduar duke thënë se raportet në mes të Shqipërisë dhe Rusisë nuk kanë qenë asnjë herë shumë të mira, që nga vdekja e Stalinit.















