Nënkryetari i Komunës së Istogut për Komunitete, Valmir Rama, ka dhënë një intervistë për Portalin Dukagjini, ku është pyetur se sa është i kënaqur me të drejtat që shteti i Kosovës u ka dhënë, dhe a janë ato të mjaftueshme për t’i adresuar kërkesat e komunitetit që ai e përfaqëson.

Rama është përgjigjur duke thënë se shteti i Kosovës është shtet kampion në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë për infrastrukturën ligjore me të cilën i trajton pakicat kombëtare të saj.

“Nuk ka asnjë shtet në Ballkanin perëndimor, por, edhe ma gjerë që i trajtojnë më mirë pakicat kombëtare sesa që i trajton Kosova në kushtetutën e saj”, ka thënë Rama.  

Më tej, ai është përgjigjur si përfaqësues i komunitetit egjiptian në pyetjen se pse ata nuk janë duke kërkuar që të ketë Asociacion të Komunave me shumicë egjiptiane në Kosovë sikurse komuniteti serb.

“Si komunitete nuk kemi komuna më shumicë përpos komunitetit serb dhe ai turk i cili e ka veç një komunë. Por, edhe nëse do të kishim, asnjëherë nuk do të kërkonim një gjë të tillë, sepse komunat në Kosovë kanë aq shumë kompetenca saqë nuk ka nevojë për asnjë lloj asociacioni tjetër pos, asociacionit të komunave të Kosovës”, ka deklaruar nënkryetari i Komunës së Istogut.  

Më poshtë mund të lexonin intervistën e plotë me nënkryetarin e Komunës së Istogut për Komunitete, Valmir Rama.

Sa respektohen të drejtat e komuniteteve në Kosovë dhe a kanë të drejta të mjaftueshme ata në Kosovë?

Sa u përket të drejtave të komuniteteve në Kosovë, lirisht mund të them se, edhe pse Kosova është shtet i ri, megjithatë është shtet i cili u ka dhënë më së shumti të drejta pakicave që jetojnë në Kosovë.

Nuk ka asnjë shtet në Ballkanin perëndimor, por, edhe ma gjerë që i trajtojnë më mirë pakicat kombëtare sesa që i trajton Kosova në kushtetutën e saj.  

A është e mjaftueshme? Jo, por a ka mundësi që komunitetet të trajtohen edhe më mirë? Po, sepse nuk duhet që gjithë ato ligje që janë shumë të mira dhe politika afirmative të mbesin veç në letër.

Sa jeni të kënaqur me kompetencat tuaja edhe sa jeni duke arritur t’i adresoni kërkesat e komunitetit që përfaqësoni?

Nuk mund të them që jemi të kënaqur më kompetencat të cilat i kem. Por, jemi të kënaqur që mundemi t’i shtyjmë shumë procese përpara, të cilat janë në të mirën e komuniteteve dhe kështu gradualisht të përmirësohet jeta e tyre.

Pse komuniteti juaj nuk është duke kërkuar asociacion sikurse komuniteti serb në Kosovë?

Si komunitete nuk kemi komuna më shumicë përpos komuniteti serb dhe ai turk i cili e ka veç një komunë. Por, edhe nëse do të kishim, asnjëherë nuk do të kërkonim një gjë të tillë, sepse komunat në Kosovë kanë aq shumë kompetenca saqë nuk ka nevojë për asnjë lloj asociacioni tjetër pos, asociacionit të komunave të Kosovës.  

Mendimi im është që nëse Kosovës i duhet me patjetër të formojë një asociacion tjetër për shkak të presioneve ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë rrugëdalje, atëherë le të formojë asociacionin në të cilin kishin me qenë dhe disa komuna me shumicë shqiptare, për shkak  se më mirë është që të jetë asociacion multietnik, dhe nëse kish me pasë kompetenca ekzekutive, kishte me pasë demokraci më të madhe dhe nuk ka mundësi të ketë monopol.              

Cilat janë sugjerimet tuaja për shtetin e Kosovës dhe shoqërinë mulitietnike në Kosovë?

Më shumë të zbatohen ligjet, mos të kemi ligje veç në letër, të jetë shembull dhe më i mirë për të tjerët sa i përket zbatimit të ligjit dhënies e të drejtave pakicave kombëtare, sepse në radhë të parë janë qytetarë të Kosovës.