Rama për sulmin në Banjskë: Ishte si kronika e zezë e një vdekjeje të paralajmëruar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa ka kujtuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri, ka thënë se i njëjti ishte si një kronikë e zezë e një vdekjeje të paralajmëruar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa ka kujtuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se i njëjti ishte si një kronikë e zezë e një vdekjeje të paralajmëruar.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë ku po diskutohet mbi sulmin terrorist në veri të Kosovës, Rama ka thënë se lajmi i vrasjes së rreshterit policor, Afrim Bunjaku, në krye të detyrës ishte si “një bombë, që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali të paekuivok përshkallëzimi të konfliktit në atë skenë”.

“Shfaqja ogurkeqe e hijes së përgjakshme të së shkuarës, me armë e me uniforma ushtarake, në skenën e ngarkuar me frymën e ekstremizmit nacionalist serb, armatimet e trafikuara për sulm e jo për mbrojtje dhe thasët e financimeve kriminale në veriun e Kosovës, ishte si kronika e zezë e një vdekjeje të paralajmëruar”, ka thënë Rama.

Sipas tij, në veri të Kosovës prodhohet tensioni që kthen mbrapsht sistematikisht procesin e dialogut të normalizimit në mes të Kosovës e Serbisë dhe “ndez llambën e vjetër të krizës ballkanike në sytë e botës demokratike”.

“Zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjes pas shpërthimit, kishte pamjen e një materiali arkivor nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku ngujimi i kriminelëve serbë në një manastir ishte si një ftesë tejet provokuese, për ta çuar konfliktin e armatosur në një pikë pa kthim dhe prodhuar alibi haluçinante vetëmbrojtjeje nga terrori imagjinar i shtetit të Kosovës”, shtoi Rama.

Megjithatë, reagimin e Policisë së Kosovës ndaj këtij sulmi Rama e quajti shembullor.

Ai theksoi se Policia e Kosovës nuk ra në kurthin e dëshiruar prej organizatorëve, po me gjakftohtësi të admirueshme dhe profesionalizëm të lartë e neutralizuan rrezikun e zgjerimit e të zgjatjes së paparashikueshme të konfliktit.

Ndërkaq, shpalljen e zisë kombëtare të Serbisë për tre terroristët e vrarë gjatë këtij sulmi, Rama e quajti si shëmbëlltyra e gjallë e hijes të së shkuarës.

“Shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës, ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes të së shkuarës, e cila bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë, mu si hija që e ndjek kudo njeriun, sapo del drita”, potencoi ai.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika