Kryeministri, Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me protestuesit, duke vendosur sërish karrige përpara godinës së Kryeministrisë, të shoqëruara me fletë ku ftohen qytetarët dhe grupet e ndryshme të shoqërisë të ulen në dialog për shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rama ka theksuar se qytetarët mund të kenë shumë arsye për të protestuar, por sipas tij, asnjë prej tyre nuk mund të justifikojë aktet e dhunës.
“Ka 1001 pakënaqësi, halle e probleme, arsye për të protestuar. Por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhje, që duan të njëjtën gjë, si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë. Dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje, dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigja do të jetë ligjore, do të jetë financiare. Kush shkatërron, do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve”, tha Rama.
Rama ka shtuar se e drejta për të protestuar është e padiskutueshme, por shton se dhuna mbetet një vepër e dënueshme me ligj.
“E drejta e protestës është e pamohueshme, dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës, sot dialogu është këtu përsëri”, ka shtuar Rama.
Në fund të mesazhit të tij, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës, ndërsa paralajmëroi se çdo person i përfshirë në episode të tilla do të përballet me ligjin.
“Dora ime është e shtrirë për këdo që mendon ndryshe nga unë dhe që mendon ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysninë e dhunës. Por çdo gjë që kërkojmë më mirë, më shumë dhe më shpejtë, bëhet me punë, me të ardhurat nga puna, duke i çuar ato të ardhura aty ku janë problemet që kërkojnë zgjidhje. Distancohuni nga dhuna dhe çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigja do të jetë konstante, ligjore dhe financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët dhe pasurinë e tjetrit do të paguajë. Në Shqipëri gjithësecili do të ketë vendin e vet, por nga ana tjetër liria e askujt nuk mund të shtrihet aty ku fillon liria e të tjerëve. E drejta e askujt nuk mund të imponohet aty ku të tjerët kanë të drejtë të jetojnë nën qiellin e përbashkët të bashkëjetesës demokratike e paqësore”
“Distancohuni nga dhuna dhe, nga ana tjetër, çdo dhunues do të marrë përgjigjen që meriton“, ka përfunduar Rama mesazhin e tij.
Vlen të theksohet se një ditë më parë, kreu i qeverisë bëri të njëjtën gjë, por protestuesit refuzuan duke i grisur letrat dhe duke i kthyer përmbys karriget.