Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pasur kritika me mënyrën se si ka funksionuar Procesi i Berlinit. Në rolin e nikoqirit, Rama në Tiranë ka thënë se premtimet ekonomike që u janë dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht.

“Premtimet ekonomike të procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht për ta thënë në mënyrë të butë, sidomos kur krahasohet me mendësinë transformuese që ka sjellë Angela Merkel. Ajo tha se demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë”, ka thënë ai.

Rama tutje ka theksuar nevojën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë në vëmendje sfidat që vendet joanëtare i kalojnë.

“Sfidat që kalojnë shtetet që s’janë në BE po intensifikohen krahasuar me ata që janë. Unë nuk do të drejtoj gishtin apo të ankohem. A mund ta përballojmë këto ndasi mes vendeve të BE-së dhe jo të BE-së, siç mund të bënim 9 vjet më parë më 2014. Liderët e Ballkanit u takuan në Berlin, shënoi një moment historik, për të synuar për ta transformuar këtë rajon, që siguron kriteret e BE-së, lirinë e lëvizjes dhe kapitalit”, tha ai.

Rama u shpreh se të gjitha shtetet duhet të qëndrojnë bashkë në “kohëra krizë”, duke e përmendur agresionin rus në Ukrainë, si dhe sulmin e fundit të Hamasit në Izrael.

Ai tha se Evropa e Bota po kalojnë momente të vështira, dhe se sipas tij, është e nevojshme “një çati e përbashkët” në kohë sprovuese, të cilat “me shumë gjasë ka të përkeqësohen se përmirësohen”.