Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar pamje nga banesat ku do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti.

Rama, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shpërndarë disa fotografi të projektit i cili sipas tij po merr formë dita-ditës.

Ai ka thënë se në këtë “vepër dinjitoze” do të strehohen edhe ata që protestuan për motive politike.

“Dhe me shpresën se do t’ju kujtohen ende “viktimat” e lagjes 5 Maji tek dera e parlamentit, ku po merr sot formë dita-ditës kjo vepër dinjitoze urbane e arkitektonike, e ku do të vazhdojë strehimi i familjeve të prekura nga tërmeti, përfshirë edhe ata që protestonin për motive politike, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

Ora shënonte 03:54, kur një sizmë rreth 50 sekondëshe me magnitudë 6.4 e shkallës Rihter, shkundi Shqipërinë qendrore-perëndimore, më 26 nëntor të vitit 2019.

Tirana, Durrësi, Lezha, Laçi, Kurbini e mbi të gjitha Thumana, u preken nga goditjet e një tërmeti që prej dekadash nuk shihej në Shqipëri.

Pas orëve të para të pasefektshme të lëkundjeve, situata filloi të qartësohej, me jetët e humbura në shtim.

Në bilancin përfundimtar ishin 51, ato të humbura. Të plagosur, rreth 3 mijë.

Megjithatë, nuk munguan ndihmat e marra menjëherë pas tërmetit.

E menjëhershme ishte ndihma nga Kosova, në njerëz, pajisje dhe sigurisht donacione.

Ishin 500 mijë euro të alokuara si fond nga Qeveria. Mbi 3.5 milionë euro të tjera i dhuruan vetë qytetarët e Kosovës.

Përtej faktit se trauma është zbehur, kujtesa ende ruhet e freskët për një ngjarje domethënëse.