Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Qendra e Mjekësisë Familjare e renovuar në Bardhosh, tani do të ofrojë edhe shërbimin laboratorik.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Rama ka thënë se është i lumtur që tani mbi 10 mijë banorë të fshatrave, Bardhosh, Trudë, Bërnicë e Epërme dhe e Poshtme do të mund t’i marrin shërbimet e duhura mjekësore e laboratorike në këtë qendër, pa pasur nevojë të shkojnë në qendra të tjera.

“Lajmi tjetër i mirë është se QMF në Bardhosh punon 12 orë në ditë. Investimet e tilla ndikojnë sadopak që edhe trafiku në kryeqytet të shkarkohet e punëtorët shëndetësorë të QMF-ve në Prishtinë të mos stërngarkohen me numrin e madh të pacientëve”, ka shkruar tutje Rama në Facebook.

Po ashtu, sipas tij, aktualisht janë duke i renovuar 10 Qendra të Mjekësisë Familjare, “në mënyrë që stafit të Qendrave të Mjekësisë Familjare t’u ofrojmë kushte më të mira të punës e pacientëve ambiente më të rehatshme”.