Rama: Serbia duhet të sanksionohet për aktin e Banjskës, Kosovës duhet t’i hiqen masat e BE-së
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë sot në konferencën e tij të fund vitit se Serbia duhet të sanksionohet për atë që ndodhi në Banjskë më 24 shtator, ndërsa tutje ai ka kërkuar largimin e masave kufizuese të Bashkimit Evropian për Kosovë. “Serbia nuk duhej sanksionuar si rezultat i mos sanksionimit të Rusisë meqë […]
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë sot në konferencën e tij të fund vitit se Serbia duhet të sanksionohet për atë që ndodhi në Banjskë më 24 shtator, ndërsa tutje ai ka kërkuar largimin e masave kufizuese të Bashkimit Evropian për Kosovë.
“Serbia nuk duhej sanksionuar si rezultat i mos sanksionimit të Rusisë meqë kjo do të sillte pasoja të rrezikshme për rajonin, ashtu edhe kur Serbia bëri një akt flagrant kundër të gjithë vlerave evropiane dhe të bashkëjetesës me shpalljen e zisë për kriminelët e Banjskës si edhe për vetë aktin e terrorit në Banjskë. Kështu që kemi qenë shumë të qartë për këtë. Kemi kërkuar haptazi që Serbia duhet sanksionuar”, ka thënë Rama.
“Kosova ka ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe nuk ka asnjë arsye që masat të mbeten në fuqi pa marrë pasojat e Serbisë për atë që ka bërë”, vlerëson kryeministri shqiptar.
I pyetur për marrëdhëniet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Rama theksoi se nuk ka asgjë tjetër përveç asaj që është e mirë për Shqipërinë dhe për mbarë rajonin.
“Është një marrëdhënie që nuk na pengon mua dhe ne të themi – e bardha është e bardhë dhe e zeza është e zezë”, ka thënë Rama.















