Rama: Të ndërtojmë një aleancë përtej armatimit – një Evropë të dijeve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që u mbajt në Tiranë, bëri thirrje për një vizion më gjithëpërfshirës të Evropës – përtej përqendrimit vetëm te mbrojtja dhe siguria. Rama propozoi krijimin e një “aleance përtej armatimit”, e cila do të fokusohej te arsimi, kërkimi shkencor dhe […]
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që u mbajt në Tiranë, bëri thirrje për një vizion më gjithëpërfshirës të Evropës – përtej përqendrimit vetëm te mbrojtja dhe siguria.
Rama propozoi krijimin e një “aleance përtej armatimit”, e cila do të fokusohej te arsimi, kërkimi shkencor dhe inteligjenca artificiale, duke përfshirë edhe vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Sipas tij, nuk mjafton investimi në armatime, por se duhet të investohet në “zemrat dhe mendjet” që mbartin shpirtin e Evropës.
“Nuk duhet të investojmë vetëm te mbrojtja, por te zemrat e mendjet që do të mbartin me vete shpirtin e Europës. Pse mos të imagjinojmë një KPE të arsimit, shkencës dhe Inteligjencës Artificiale. Një aleancë përtej armatimit. Një burim dijeje, kërkimi e inovacioni, ku vendet që nuk janë anëtare të BE-së bëhen kufij të rinj, ringjallje e asaj që pasoi rënien e murit të Berlinit. Duhen tërhequr të rinjtë në përqafimin e Evropës, ku nga këto investime pati dividentë të lartë. T’u japim të rinjve të Evropës një arsye më të mirë për të qëndruar se sa të flasim vetëm për armë, për të ëndërruar në tokën evropiane.
Le të sigurohemi që rrugëtimi i Evropës nuk është një udhëtim rrëmbimi, por një udhëtim kthimi dhe rilindjeje, një kthim në shtëpi. Padyshim një shtëpi që nuk ngjan me formën e armëve por me imagjinatën e fëmijëve tanë e etërve tanë, një vizion që na takon ne ta sjellim në jetë”, ka thënë Rama.















