Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas lajmit se Rruga A” (Jim Xhema), është ndalë puna nga shkalla e parë e Gjykatës Komerciale.

Rama për këtë ndalim të punës gishtin ia ka drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje pasi sipas tij ky vendim është i motivuar politikisht pasi gjyqtarja Vlora Pacolli sipas Ramës është motra e motra e deputetes së LVV-së Fitore Pacollit.

“Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli”, ka shkruar Rama.

Rama ka thënë se ky vendim i Gjykatës Komerciale  ka qenë kundër interesit dhe shëndetit të qytetarëve të Prishtinës.

“Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike”, ka sqaruar Rama.

Rama ka drejtuar dy kërkesa ndaj  Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe për Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Kërkojmë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik si palë direkte në këtë procedurë që të ankohet ndaj këtij vendimi që cenon interesin publik. Ndërsa, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që në kuadër të kompetencave që ka, të sigurohet që ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj”, ka përfunduar i pari i Prishtinës.