Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të udhëtojë sot drejt Ankarasë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, i cili do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik.
Sipas RTSH, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të zhvillojë takime dypalëshe me 32 krerë shtetesh dhe qeverish, mes tyre edhe me kryeministrin shqiptar.
Në kuadër të samitit, Erdogan pritet të takohet me presidentin e ShBA-së, Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin e dorëhequr britanik, Keir Starmer, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin kanadez Mark Carney, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentin finlandez Alexander Stubb, presidentin sllovak Peter Pellegrini, kryeministrin bullgar Rumen Radev, si dhe kryeministrin malazez Milojko Spajic.
Sipas agjendës, një nga takimet më të rëndësishme do të jetë ai kokë më kokë mes Erdoganit dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.
Samiti i NATO-s do të përqendrohet në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës, rritjen e investimeve në mbrojtje, luftën në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet rajoni euroatlantik. Në këtë takim do të marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, së bashku me ministra, diplomatë të lartë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
