Ramadani e sheh si “koncesion të radhës” nga qeveria takimin e ardhshëm në Bruksel

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për dinarin dhe tema të tjera urgjente. Sipas analistit politik, Shkodran Ramadani, ky takim mund të jetë pa rezultat dhe shihet si një koncesion i radhës i Qeverisë së Kosovës. Ai thekson se, edhe pse Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se nuk do të diskutojë për dinarin, tani po ndodh e kundërta

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka njoftuar se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë më 19 mars në Bruksel, që t’i vazhdojnë diskutimet për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për dinarin. Përveç kësaj, në takim do të diskutohen edhe për tema të tjera që janë më urgjente në kuadër të dialogut.

Sipas analistit politik, Shkodran Ramadani, ky takim mund të jetë pa rezultat, por është një koncesion i radhës nga Qeveria e Kosovës.

“Takimi mund të jetë pa rezultat, por gjithsesi është një koncesion i radhës nga Qeveria e Kosovës, për shkak që ajo paraprak javëve ka deklaruar me këmbëngulje që nuk do ta negociojë çështjen e dinarit dhe se për Qeverinë e Kosovës kjo ka vetëm karakter teknik dhe jo politik, ndërkohë që tani po shohim që procesi po rrjedh me një logjikë tjetër, ku thuhet që do të jetë politik, dialog politik i kryenegociatorëve, domethënë i nivelit më të lartë shtetëror të Kosovës edhe Serbisë, e po ashtu edhe çështje humanitare. Pra, kjo deklaratë e Escobar-it nuk është thjesht vetëm një konstatim”, ka thënë Ramadani në “FIVE” të Dukagjinit.

Ramadani ka theksuar se edhe pse Qeveria proklamoi se nuk do të diskutojë për dinarin në Bruksel, po ndodh e kundërta.

“Mund të thonë që do të ketë takime pa rezultate, mund të thonë mund të jetë (takim) steril, por nuk është. Ashtu për shkak që lëvizja nga pozicioni paraparë nga Qeveria e Kosovës veç është bërë edhe tash po shkohet në negociata për çështje dinarit që Qeveria e Kosovës e kishte thënë që nuk do të ndodhte. Dhe, po ashtu, në një postim të vitit dy mijë e njëzet e tre, njëzet e dy dhjetor të zotit Kurti, ku thuhej që normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të varet nga disa kushte që i ka, i parashtroi ai dhe njëri nga kushtet ishte edhe arrestimi edhe ekstradimi i kriminelit Millan Radojçiq te institucionet e Kosovës.

Dhe kjo tashmë, jo vetëm që nuk ka ndodhur, por, në fakt, Radojçiqi është marrë në mbrojtje nga shteti serb, ai ka takime normale me ambasadorin serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, i cili po ashtu e mbrojti të drejtën e tij për të takuar Millan Radojçiqin”, ka shtuar Ramadani.

Ramadani ka përmendur dy lëshime që janë bërë sipas tij, nga Qeveria e Kosovës, me shkuarjen në Bruksel të martën.

“Rreth takimit të së martës… është një lëshim i dyfishtë i Qeverisë së Kosovës, për shkak që fillimisht ka thënë që kjo është një çështje teknike e cila i përket vetëm Bankës Qendrore të Kosovës edhe shtetit të Kosovës, si çështje e brendshme, të cilën nuk e negocion me askënd, ky pra është qëndrimi i parë të i cili do të braktiset me takimin e Brukselit.

Qëndrimi i dytë është që ende pa u dorëzuar, pa u ekstraduar, pa u arrestuar Millan Radojçiq, Kosova po vazhdon procesin e negociatave në Bruksel për çështje të brendshme edhe përveç kësaj, nuk është më e thjeshtë takim mes zyrtarëve politikë të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por i nivelit më të lartë. Pra, diçka që thuhej që do të jetë çështje ekskluzivisht e brendshme e Kosovës, tashmë po bëhet sërish objekt i negociatave me Serbinë”, ka shtuar më tej Ramadani.

 

Për këtë takim në Bruksel gjatë së premtes reagoi edhe Klisman Kadiu, këshilltar për medie i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili pavarësisht deklaratave të BE-së e ShBA-së se në këtë takim do të diskutohet për dinarin, ka thënë se ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin Zbatues.

“Pas takimit të 5 marsit të javës së kaluar me emisarin Lajçak, zëvendëskryeministri Bislimi ka pranuar një ftesë nga ai, për takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, për të martën e ardhshme. Ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin Zbatues”, ka shkruar Kadiu.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika