Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka kritikuar vonesën në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, duke thënë se ajo po shtyhet pa asnjë arsye.
Përmes një postimi në Facebook, Ramadani e ka cilësuar këtë situatë si “papërgjegjësi totale”, ndërsa ka deklaruar se qëllimi i vetëm pas kësaj vonese është bllokimi i institucioneve.
“Papërgjegjësi totale mosthirrja e Kuvendit. Konstituimi i Kuvendit nuk ka asnjë arsye normale të vonohet. I vetmi plan prapa kësaj vonese është bllokada”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka shtuar se, sipas tij, mungon vullneti për funksionimin e institucioneve.
“Shihet qartë se as nuk iu ngutet, as nuk e kanë dertin e funksionimit të shtetit. Mbi 10 ditë që u certifikuan rezultatet, këta luajnë hajgare me shtetin! Thirreni seancën e Kuvendit!”, ka shkruar Ramadani.