Raportet Rama – Kurti, nga mospajtimet tek “refuzimi” i takimeve
“Në përpjekjet për të gjetur përgjigjen e duhur, ne mund të kemi edhe arsyetime të ndryshme”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vizitën e fundit në Kosovë duke shtuar se dallimet me homologun kosovar nuk e vënë në pikëpyetje as dashurinë e përbashkët e as respektin për njëri-tjetrin. Pikërisht qëndrimet ndryshe në […]
“Në përpjekjet për të gjetur përgjigjen e duhur, ne mund të kemi edhe arsyetime të ndryshme”.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vizitën e fundit në Kosovë duke shtuar se dallimet me homologun kosovar nuk e vënë në pikëpyetje as dashurinë e përbashkët e as respektin për njëri-tjetrin.
Pikërisht qëndrimet ndryshe në raport me Serbinë, bënë që kryeministri Rama, një-anshëm të anuloj mbledhjen e dy qeverive.
Mospajtim me kryeministrin Albin Kurti shpërfaqi edhe me propozimin për asociacionin, zhvillime që kanë vënë në pikëpyetje takimet dypalëshe.
“Unë kam akoma shpresë se Albini nuk e ka harruar kanunin se kur vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera, është e ndaluar të nxjerrësh deri kur ai të mbaroj fjalën”, ka thënë Rama.
Në shërbim të qëndrimeve të Kurtit se takohet vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, para se të mbërrijë në këtë takim, Rama tregoi se 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive, të nënshkruara nga ana e tyre ia kanë dërguar Kosovës.
Këtë deklaratë Rama e dha në Maqedoni të Veriut, ku u prit nga homologu Dimitar Kovačevski, shembull i cili, sipas opozitës në Kosovë duhet të ndiqet edhe nga Kurti.
“Edi Rama është kryeministër nuk vjen si person privat. Ai përfaqëson një shtet që është anëtar i NATO-s dhe mbi të gjitha është një mik i cili shumë qartë shihet që ka një brengë për situatën në Kosovë sikur që e kemi të gjithë”, Besnik Tahiri, Shef i GP-së së AAK-së.
“Gabime të tilla për ego personale, për ego të sëmura lideriste, de-facto-de-juro na sjellin para një situate të papërgjegjshme politike dhe të sigurisë me pasoja të mëdha”, ka deklaruar Ferat Shala nga PDK-ja.
Edhe nga shoqëria civile qasja ndaj Shqipërisë po shihet me sy kritik, duke theksuar se qëndrimet e Ramës asnjëherë nuk vënë në pikëpyetje që për dialogun vendos kryeministri i Kosovës.
“Ka gjëra paradoksale, kur Shqipëria nuk përfshihet atëherë akuzohet për një diferencë se nuk interesohet për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Rajonit. Kur përfshihet pastaj shihet kjo një far lloj konkurrence për shkak të egove personale”, ka thënë Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari”.
Edhe analistë nga Shqipëria pajtohen se roli në dialog i takon Kurtit, por janë kritik për qasjen e Ramës në këtë proces.
“Megjithatë ky tour ballkanik është tour i cili i paraprinë samitit të Tiranës për procesin e Berlinit dhe këtë Rama duhet ta thoshte zyrtarisht. Ndërsa pjesa e më përpara ku Rama e luante pjesën e mediatorit për Kosovën edhe mua personalisht më duhet pak e pa pranueshme”, ka thënë Ben Andoni – Analist.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka konfirmuar për RTV Dukagjini se 13 marrëveshjet e nënshkruara i kanë pranuar nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë. Por MPJD-ja nuk ka dhënë detaje nëse janë nënshkruar edhe nga pala kosovare, ose kanë kthyer përgjigje në drejtim të autoriteteve shqiptare.















