Raporti i DASh-it mbi liritë fetare: Kosova me probleme të trashëguara

Raporti i DASh-it mbi liritë fetare, në kapitullin për Kosovën, thekson se Kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik

Departamenti amerikan i Shtetit (DASh), të enjten ka publikuar raportin vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, i cili përfshin të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtete dhe territore që dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Ky raport analizon në kapituj të veçantë edhe gjendjen e lirisë së besimit në Shqipëri dhe Kosovë.

Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se Kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik.

Një projektligj i hartuar për t’iu dhënë atyre një status të tillë, i paraqitur në parlament në vitin 2020, mbeti pezull.

Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se disa shkolla vazhduan të zbatojnë një direktivë të ministrisë së Arsimit që ndalon veshjen fetare, duke ua mohuar qasjen në shkollë nxënëseve që mbanin shami.

Raporti nënvizon se në muajin shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi prokurorin e shtetit për refuzimin e vazhdueshëm të qeverisë për të zbatuar vendimin e asaj gjykate të vitit 2016, që i njihte Kishës Ortodokse Serbe pronësinë e rreth 24 hektarëve toke rreth Manastirit të Deçanit.

Në përgjigje të moszbatimit të vazhdueshëm nga qeveria si të atij vendimi ashtu edhe të një marrëveshjeje të vitit 2020 për punimet në rrugë brenda Zonës së Posaçme të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, Kisha Ortodokse Serbe ndërpreu komunikimin zyrtar me qeverinë në muajin maj.

Në muajin tetor, mediat raportuan se autoritetet po hetonin një Organizatë Joqeveritare të krishterëve (OJQ), pas ankesave se organizata publikonte fotografi të fëmijëve së bashku me përmbajtje fetare pa lejen e prindërve. Mediat raportuan se OJQ-ja mohoi shkeljen e ligjeve.

Në muajin gusht, Bashkësia Islame e Kosovës dhe mediat raportuan se policia arrestoi autorin Gjin Morena, nën akuzën për botimin e poezive që nxisin jotolerancën ndaj myslimanëve. Morena më pas u deklarua fajtor dhe u gjobit.

Përfaqësuesit e Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, thanë se mungesa e mbështetjes institucionale për të siguruar varrezat për besimtarët e saj po pengonte të kryenin shërbimet e varrimit sipas besimit të tyre.

Sipas Kishës Ortodokse Serbe, në muajin qershor, policia pa asnjë shpjegim, urdhëroi një autobus me pelegrinë serbë të kthehej në Serbi.

Në prill, federata panevropiane e organizatave të shoqërisë civile të trashëgimisë kulturore, Europa Nostra, përfshiu Manastirin e Deçanit në listën e shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë, një përcaktim që zyrtarët qeveritarë thanë se ishte “i njëanshëm” dhe “i pasaktë”.

Raporti vë re se në qershor, një qytetar malazez brohoriti “Vritni shqiptarët”, gjatë një tubimi me rastin e ditës së Shën Vitos në Gazimestan afër Prishtinës. Gjykata e Prishtinës e dënoi me gjobë në vend të burgimit dhe i ndaloi hyrjen në vend për pesë vjet.

Bashkësia Islame ka thënë se raportet e mediave vazhduan të portretizojnë komunitetin e saj negativisht, duke kontribuuar në një klimë të jotolerancës dhe diskriminimit. Përfaqësuesit e kësaj bashkësie si dhe Kishës Protestante Ungjillore, thanë se disa nga pasuesit e tyre hezitonin ta praktikonin besimin e tyre hapur për shkak të frikës nga diskriminimi.

DASh-i citon raportet e policisë së Kosovës për 87 incidente gjatë vitit, ndërsa një vit me parë kishte regjistruar 57 të tilla.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë raportoi se vazhdon ta mbështesë përmirësimin e marrëdhënieve midis komuniteteve fetare dhe komunave.

Zyrtarët e ambasadës amerikane vazhduan të inkurajojnë qeverinë të miratojë ligjet që u lejojnë grupeve fetare të fitojnë statusin juridik, të zbatojnë mekanizmat për të mbrojtur lirinë e besimit, të zbatojnë legjislacionin dhe vendimet gjyqësore në lidhje me objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet pronësore me këtë kishë.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 1.9 milionë banorë sa besohet të ketë Kosova, 95.6 për qind janë myslimanë, 2.2 për qind katolikë si dhe 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks. Ligji nuk përcakton një besim zyrtar, por rendit pesë bashkësitë fetare “tradicionale” që marrin mbrojtje dhe përfitime shtesë, përfshirë ulje taksash.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika