Raporti i PE-së: Mali i Zi, vendi më i avancuar në rrugën drejt BE-së

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi raportin vjetor për Malin e Zi, në të cilin vendi cilësohet si shteti më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Raporti bën thirrje për forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë, si dhe për rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar.

Aty theksohet edhe nevoja për uljen e numrit të lëndëve të mbetura gjyqësore dhe për harmonizimin e plotë të politikës së vizave me atë të Bashkimit Evropian.

Autori i raportit, eurodeputeti Marjan Sharec, paralajmëroi se Mali i Zi përballet me një vit shumë sfidues.

“Koha është e kufizuar, ndërsa punë ka ende. Ky raport duhet të shërbejë si njohje e progresit të deritanishëm dhe si inkurajim për periudhën në vazhdim. Para së gjithash, duhet të kuptohet si një thirrje për të gjitha palët e interesuara që të tregojnë urtësi dhe përgjegjësi, në mënyrë që mosmarrëveshjet e vogla të mos e errësojnë – apo devijojnë – përparimin drejt objektivave më të gjera strategjike”, tha Sharec pas votimit.

Raporti u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që dallimet politike të mos e vonojnë miratimin dhe zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian.

Theksohet se anëtarësimi në BE duhet të mbetet prioritet i përbashkët kombëtar, mbi interesat partiake, ndërsa Parlamentit dhe Qeverisë së Malit të Zi u kërkohet që çështjet e identitetit të mos e largojnë vëmendjen nga procesi evropian.

Në dokument thuhet se, megjithëse Mali i Zi është vendi më i avancuar në procesin e integrimit dhe afër mbylljes së kapitujve negociues, përparimi nuk varet vetëm nga reformat teknike, por edhe nga zhvillimet e përditshme politike dhe tensionet e brendshme, të cilat shpesh e ngadalësojnë procesin e përafrimit me standardet e BE-së.

Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 14 nga 33 kapituj negociues në procesin e anëtarësimit në BE.

Synim i vendit është që t’i mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të këtij viti, me qëllim që të hapet rruga për anëtarësim të mundshëm deri në fund të vitit 2028.

Për përmbylljen me sukses të negociatave, thuhet në raport, është thelbësore ruajtja e konsensusit politik për rrugën evropiane dhe sigurimi i bashkëpunimit konstruktiv mes Qeverisë dhe opozitës.

Rezultatet e qëndrueshme në fushën e sundimit të ligjit dhe zbatimi efektiv i reformave janë përcaktuar si kushte kryesore për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian mori vendim për krijimin e një grupi punues që do të punojë në hartimin e projekttekstit të Marrëveshjes së Anëtarësimit me Malin e Zi.

Nga Mali i Zi pritet emërimi më i shpejtë dhe më transparent i bartësve të funksioneve në sistemin e drejtësisë, përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

Po ashtu, theksohet nevoja për përafrim të mëtejshëm të legjislacionit me standardet e BE-së, në lidhje me pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë, si dhe për uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura gjyqësore – veçanërisht në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në raport shprehet shqetësim edhe për ndërhyrjet e huaja, dezinformimin dhe kërcënimet hibride, ndërsa Malit të Zi i bëhet thirrje që të forcojë më tej qëndrueshmërinë e institucioneve të tij.

Dokumenti vlerëson përputhjen e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Malit të Zi me atë të Bashkimit Evropian.

Pas votimit në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ky raport pritet të votohet në seancën plenare gjatë muajit qershor, kur edhe do të marrë formën e një rezolute të këtij institucioni./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Të fundit nga rubrika