Raporti i PE-së për Kosovën bën thirrje për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e vendit

Në raportin e PE-së theksohet thirrja për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve përkatëse të arritura nga të dy palët, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Parlamenti Evropian në raportin e fundit për Kosovën, i ka bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialog për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Raportin e PE-së theksohet thirrja për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve përkatëse të arritura nga të dy palët, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Raporti bën thirrje që aktorët e BE-së dhe SHBA-së ta mbështesin Kosovën në punën drejt zbatimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, “e cila duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Përsërit mbështetjen e plotë për Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në këtë dialog me mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, bazuar në njohjen reciproke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme, bën thirrje për zbatimin e plotë, në mirëbesim dhe në kohën e duhur, të të gjitha marrëveshjeve përkatëse nga të dyja palët, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, beson se një zgjidhje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse do të rrisë bashkëpunimin, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e gjerë”, thuhet në raport.

Në këtë raport theksohet nevoja urgjente që procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të intensifikohet.

Po ashtu, raporti i bën thirrje Bashkimit Evropian të ofrojë ndërmjetësim më efektiv ndërmjet palëve me qëllim tejkalimin e ngërçit aktual.

Raporti inkurajon Kosovën që të shtojë përpjekjet e saj për pajtim dhe të kërkojë zgjidhje për mosmarrëveshjet e kaluara, duke përfshirë miratimin e një strategjie gjithëpërfshirëse kombëtare për trajtimin e së kaluarës, duke theksuar rolin kryesor që kanë luajtur organizatat e shoqërisë civile në Kosovë në këtë fushë dhe kontributin e tyre në përgatitjen e strategjia e drejtësisë tranzicionale.

Gjithashtu, bën thirrje për shtimin e përpjekjeve dhe dhënien e zgjidhjeve për çështjet e personave të zhdukur dhe që këto tema të trajtohen edhe si pjesë e dialogut.

“Përshëndet faktin se drafti i parë i ligjit që rregullon punën e Institutit të ri të Krimeve të kryera  gjatë Luftës në Kosovë përfshin krimet e kryera në periudhën deri më 31 dhjetor 2000 dhe që kanë të bëjnë me luftën; i bën thirrje parlamentit të miratojë ligjin me këtë afat kohor të propozuar dhe të bëjë të detyrueshëm dokumentimin e këtyre krimeve; inkurajon qeverinë që të kapërcejë mospërputhjet midis ligjeve që lidhen me luftën dhe të sigurojë zbatueshmërinë e këtij afati kohor në të gjitha rastet; është thellësisht i shqetësuar lidhur me mangësitë aktuale në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë; i kërkon Kosovës që të rrisë resurset për njësinë speciale në kuadër të Prokurorisë Speciale dhe të rrisë numrin e prokurorëve që merren me krimet e luftës”.

Parlamenti Evropian përmes këtij raporti konfirmon se ka ndërhyrje për dezinformim nga Rusia dhe Kina. Sipas PE-së, ka rritje të ndërhyrjeve nga këto vende për keqinformim.

“Është shqetësuese rritja e ndërhyrjeve keqdashëse nga vendet e huaja në formën e fushatave të dezinformimit dhe keqinformimit të organizuara nga disa aktorë, veçanërisht nga Rusia dhe Kina”, thekson PE-ja.

Raporti i bënë thirrje Kosovës dhe BE-së që të rrisin bashkëpunimin për të luftuar fushatat e dezinformimit dhe kërcënimeve hibride në vend.

“I bëhet thirrje Kosovës dhe BE-së që të rrisin bashkëpunimin për forcuar demokracinë dhe të luftojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse fushatat e dezinformimit dhe kërcënimet hibride që synojnë të destabilizojnë vendin, të cilat minojnë perspektivën e tij evropiane, duke përfshirë në fushat e sigurisë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe sigurinë energjetike”, vijon tutje raporti.

Po ashtu, PE-ja ka kërkuar nga Kosova që të hetojnë praninë e pretenduar të mercenarëve rusë të Grupit Wagner në veri të Kosovës.

PE-ja ka shprehur shqetësime serioze në këtë drejtim për Grafitin rus të Wagner Group që është shfaqur në hapësira publike në rajonet veriore të Mitrovicës dhe Zveçanit.

“Dënohen përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor me anë të shfrytëzimit të ndarjeve kulturore, etnike dhe fetare dhe destabilizimit të forcave pro-demokratike; shpreh shqetësimin e tij për kërcënimet hibride, duke përfshirë praninë e Grupit rus Wagner në Serbi; kërkon nga autoritetet kosovare që të hetojnë praninë e pretenduar të mercenarëve rusë të Grupit Wagner në veri të Kosovës”.

Ndryshe, Raporti për Kosovën është miratuar me shumicën e votave, ku votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.

Kështu ka bërë të ditur Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter.

“Raporti për Kosovën sapo është miratuar me shumicë dërrmuese, duke konfirmuar kështu mbështetjen tonë të qartë për përpjekjet dhe arritjet evropiane të Kosovës”, shkroi ajo.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika