Raportimet e mediave serbe pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE
Raportimet nga mediat serbe pasi Kosova ka nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) nuk kanë të ndalur. “Kujtojmë se Beogradi mobilizoi të gjitha resurset politike dhe diplomatike që kërkesa e Prishtinës për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilën kryeministri Albin Kurti synon ta paraqesë nesër, të mbetet […]





Raportimet nga mediat serbe pasi Kosova ka nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) nuk kanë të ndalur.
“Kujtojmë se Beogradi mobilizoi të gjitha resurset politike dhe diplomatike që kërkesa e Prishtinës për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilën kryeministri Albin Kurti synon ta paraqesë nesër, të mbetet një letër e vdekur”.
Kështu ka raportuar media serbe, Novosti pas ceremonisë së nënshkrimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, kanë shkruar edhe mediat e tjera.
Ndërsa RTS ka shkruar “Kosova nënshkroi kërkesën për anëtarësim në BE”, duke shtuar në sfond edhe fjalimet e krerëve të Kosovës.
“Është nënshkruar aplikacioni për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka shkruar mediumi serb, N1.
Ndërkaq, mediumi tjetër serb, Danas ka shkruar “Është nënshkruar kërkesa për anëtarësim të Kosovës në BE”.
Edhe mediumi tjetër serb, B92 ka shkruar “Në Prishtinë është nënshkruar aplikacioni për anëtarësim i Kosovës në Bashkimin Evropian”, duke cituar disa media të Kosovës.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë kohës kur krerët e Kosovës kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në BE, ka ngritur pyetje ndaj ndërkombëtarëve se “cilën nga gjashtë marrëveshjet e arritura ndër vite duan të respektojnë dhe se Serbia është dakord”.
Ai në një video të postuar në rrjete sociale e ka postuar edhe dokumentin e nënshkruar në Selanik për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor.
“E dini se u kam kërkuar partnerëve perëndimorë të më thonë se cilën nga pesë dokumentet e rëndësishme duan ta respektojnë: Marrëveshjen e Kumanovës, Kartën e Kombeve të Bashkuara, Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Brukselit apo Marrëveshjen e Washingtonit”, ka thënë Vuçiq.
Po ashtu edhe Nemanja Staroviq, Sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, ka reaguar pas ceremonisë së nënshkrimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian,.
Me anë të një postimi në Twitter, Staroviq, ka shtruar pyetje ironizuese nëse Kosova “mund të aplikojë në NASA për një fluturim në hënë”.
Ceremoninë e nënshkrimit të kërkesës për anëtarësim në BE, Staroviq e ka cilësuar si një parodi.
“Autoritetet në Kosovë sapo kanë dorëzuar një kërkesë për anëtarësim në BE. Në pamje të parë duket si një parodi. Një vend që nuk qeveriset nga OKB-ja, duke u anëtarësuar në BE shpërfill plotësisht Kartën e OKB-së, Traktatin e Lisbonës, etj. Pyes veten nëse mund të aplikojë në NASA për një fluturim në Hënë?”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Kosova ka nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mërkurën e 14 dhjetorit.
Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit.
Presidentja Osmani e cilësoi si “historike” nënshkrimin e aplikimit të anëtarësimit në bllokun evropian.
“Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme”, tha Osmani, duke shtuar se aplikimi për anëtarësim në BE është një hap drejt përmbushjes së ambicieve evropiane të Kosovës.
Dorëzimi i aplikimit pritet të bëhet më 15 dhjetor në Pragë të Çekisë, shtetit që aktualisht kryeson presidencën e bllokut evropian.
Kryeparlamentari Konjufca ka thënë se për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor anëtarësimi në BE është i rëndësishëm, sepse, sipas tij, blloku ofron stabilitet, siguri, demokraci dhe prosperitet zhvillimor.
Ai tha se pret që pas dorëzimit të aplikimit, Komisioni Evropian të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat, dhe më pas shtetet anëtare të bllokut të mbështesin anëtarësimin e Kosovës.
Kryeministri Kurti tha se ky “moment historik” synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin e Kosovës dhe shoqërinë kosovare.




















