Raportohen gjashtë raste të dhunës në familje
Në raportin e përditshëm të Policisë së Kosovës, janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje. Në qytetin e Prizrenit, janë raportuar dy raste të dhunës në familje, në njërën nga këto raste viktimë ka qenë një person i gjinisë femërore, ndaj së cilës dyshohet se një person i gjinisë mashkullore me të cilin bashkëjetonte […]
Në raportin e përditshëm të Policisë së Kosovës, janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.
Në qytetin e Prizrenit, janë raportuar dy raste të dhunës në familje, në njërën nga këto raste viktimë ka qenë një person i gjinisë femërore, ndaj së cilës dyshohet se një person i gjinisë mashkullore me të cilin bashkëjetonte ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
“Ankuesja, kosovare, ka raportuar se gjatë periudhës së lartpërmendur, i dyshuari mashkull kosovar me të cilin bashkëjeton ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj duke i shkaktuar lëndime trupore. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.
Në rastin tjetër, viktima është i gjinisë mashkullore, ndaj të cilit dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike djali i tij.
“Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë në familje ndërsa sot i ka dëmtuar edhe disa orendi në shtëpi. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.
Në komunën e Fushë Kosovës, burri ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, pas raportimit të rastit ai është dërguar në mbajtje.
“I dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të Prokurorit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, thotë raporti.
Ndërkaq, në Prishtinë, është raportuar se vëllai e ka sulmuar fizikisht motrën e tij.
“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të Prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.
Në komunën e Gjakovës, burri ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, i dyshuari ishte në gjendje të dehur.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, dy viktima femra kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tregon raporti.
Ndërkaq, në Vushtrri, i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe motrës së saj.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunën ndaj bashkëshortes dhe motrës së bashkëshortes dy viktimave femra kosovare. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.















