Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste të personave të zhdukur të raportuara në lokacione të ndryshme gjatë ditëve të fundit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në Shtërpcë, më 31 korrik 2026, rreth orës 11:00, një mashkull kosovar ka raportuar se bashkëshortja e tij ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se viktima-bashkëshortja e tij, ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj”, thuhet në raportin policor. Për rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar.
Një tjetër rast është raportuar në fshatin Dubravë të Ferizajt, ku më 31 korrik, rreth orës 12:00, një mashkull kosovar ka njoftuar se motra e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se motra e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më”, thuhet në njoftimin e Policisë. Rasti është duke u hetuar.
Ndërkohë, në rrugën “Abdullah Bablija” në Gjakovë, një person ka raportuar se vajza e tij e mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.
Sipas Policisë, rasti është raportuar më 31 korrik, ndërsa për të është njoftuar edhe prokurori dhe njësitet policore janë duke zhvilluar hetime.
Po ashtu, në fshatin Vrellë e Magures në Lipjan, është raportuar zhdukja e një personi.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se motra e tij ka dalë nga shtëpia dhe ende nuk dihet vendndodhja e saj”, thuhet në raportin policor.
Edhe ky rast është duke u hetuar nga njësitet kompetente.