Rashiq thotë se vendimi i qeverisë për targat vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve në veri
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pas vendimit që Qeveria mori të hënën, për zgjatjen e afatit të regjistrimit të veturave me targa ilegale deri më 1 dhjetor. Rashiq, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky vendim vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve nga veriu […]
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pas vendimit që Qeveria mori të hënën, për zgjatjen e afatit të regjistrimit të veturave me targa ilegale deri më 1 dhjetor.
Rashiq, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky vendim vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve nga veriu i vendit.
“Ky vendim i Qeverisë vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve, kryesisht nga veriu i Kosovës, dhe si i tillë është një tjetër dëshmi e pragmatizmit të punës sonë, në përputhje me nevojat e bashkëqytetarëve tanë”, ka shkruar Rashiq.
Ndryshe, të hënën, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën, ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr.05/103 të datës 28 tetor 2022, duke zgjatur afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri më 1 dhjetor 2023.















