Rasti i Agon Fejzullahut, Berisha: Vendimi më i turpshëm, Apeli e konfirmoi në gjuhën juridike
Avokati Besnik Berisha ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Apelit në rastin e vdekjes së Agon Fejzullahut, duke e cilësuar atë si një nga vendimet më të padrejta dhe të turpshme me të cilat është përballur ndonjëherë në karrierën e tij. “Realisht, ka qenë një nga vendimet më të turpshme që kanë nënshkruar […]
Avokati Besnik Berisha ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Apelit në rastin e vdekjes së Agon Fejzullahut, duke e cilësuar atë si një nga vendimet më të padrejta dhe të turpshme me të cilat është përballur ndonjëherë në karrierën e tij.
“Realisht, ka qenë një nga vendimet më të turpshme që kanë nënshkruar ndonjëherë në karrierën time,” deklaroi Berisha, duke theksuar se Apeli e ka konfirmuar pikë për pikë në gjuhën juridike atë që ai dhe pesë kolegë të tij kishin parashtruar në ankesë.
Sipas tij, pesë zyrtarët policorë po mbahen padrejtësisht në paraburgim për një çështje që, siç u shpreh ai, “nuk ka ndodhur as si faj i tyre, as me ndonjë kontribut të tyre dhe as si rezultat i shkaktuar nga ta.”
Ai shtoi se Gjykata e Apelit ka konstatuar qartë se në rast ka pasur shkelje të natyrës thelbësore.
“Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat tona dhe ka konstatuar se ka shkelje dhe mangësi të natyrës esenciale,” theksoi Berisha.
Avokati Besnik Berisha, në një deklaratë për “Five”, ka theksuar se Gjykata e Apelit ka konstatuar mangësi serioze në arsyetimin e aktvendimit për mbajtjen në paraburgim të pesë zyrtarëve policorë, duke vlerësuar se mënyra e artikulimit të tij e bën një vëzhgues objektiv të mos ketë mundësi të shohë ndonjë element që do të përmbushte kriteret për vepër penale.
“Gjykata ka dhënë vërejtje të qarta dhe instruksione të drejtpërdrejta,” tha Berisha.
Ai shtoi se është shqetësues fakti që seanca është mbajtur më 17 korrik, ndërsa vendimi është marrë më 21, si dhe që çështja është vonuar pavarësisht urgjencës. Sipas tij, gjykata ka vënë në pah një tjetër problem thelbësor – mungesën e provave gjatë shqyrtimit të ankesës.
“Nuk ka pasur mundësi të vlerësojmë çështjen në mënyrë të drejtë për shkak se provat nuk kanë qenë në dispozicion. Kjo është shumë shqetësuese,” përfundoi ai.















