Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar t’i caktohet masa e paraburgimit për 30 ditë, personit me iniciale H.B, i cili dyshohet se e ka dhunuar një grua.

Në një përgjigje për RTV Dukagjini, thuhet se personi i dyshuar është ndaluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda.

“Ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të pandehurin H.B., si dhe ndaj tij ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Gjilan, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Dhunimi’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në raportin e policisë thuhet se gruaja, e cila ishte duke u kthyer në shtëpi, kishte hipur në një taksi, drejtuesi i të cilit e kishte dërguar atë në një vend të panjohur dhe e kishte ngacmuar seksualisht.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se deri sa ishte duke u kthyer në shtëpi, kishte hipur në një TAX-i me drejtues i dyshuari mashkull kosovar i cili e kishte dërguar në një vend të panjohur dhe ngacmuar seksualisht. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Rasti nga policia është cilësuar si dhunim.