Ajo çfarë prindërit e një vajze me autizëm frikësoheshin se do të ndodhte, është shmangur.

Shkolla fillore “Pavarësia” në Prishtinë ka konfirmuar për Dukagjinin se kanë gjet një zgjidhje për rastin.

I gjithë diskutimi erdhi pasi, siç kupton televizioni, prindërit e fëmijëve tjerë të klasës së tretë kishin bërë edhe peticion duke kërkuar që vajza të largohet nga shkolla.

Ata madje me raste nuk i kishin dërguar fëmijët e tyre në shkollë si shenjë proteste.

“Prindërit kërkojnë që shkolla të ofrojë siguri për të gjithë nxënësit, eventualisht nëse mundet të goditet njëri nxënës prej tjetrit e sidomos nëse në klasë, është një fëmijë me nevoja të veçanta. Mirëpo, ne i kemi ndërmarr hapat e duhur që tani e tutje do kujdeset mësuesi mbështetës…Jam takuar edhe sot me zyrtarë të drejtorisë së arsimit. Na mbështesin në vendimmarrjen tonë, se do jetë aty duke e përkrahur në secilën mënyrë. Na kanë thënë prindërit që ka ndodhur me raste, por këto ndodhin edhe me të tjerë, lëre më me një nxënës me fëmijë të veçanta që mbrohet me ligj e konventa ndërkombëtare”, ka deklaruar Halil Brahaj, drejtor në shkollën “Pavarësia”.

Mes të tjerash, Brahaj ka deklaruar se çështjen e kanë adresuar me Drejtorinë e Arsimit në kryeqytet e cila e ka mbështetur shkollën.

Por këtë, nga komuna nuk e kanë deklaruar për Dukagjinin.

Pavarësisht premtimit, Drejtoresha e Arsimit në Komunë, Jehona Lushaku nuk i është përgjigjur interesimit të televizionit.

Për Cenë Krasniqin nga shoqata “Autizmi”, njëheri prind i një fëmije autik, këta fëmijë po neglizhohen nga mekanizmat institucional.

“Nuk kemi mjaft kuadro që ndihmojnë. Shumicën e rasteve, prindërit i vetfinancojnë fëmijëve asistentë/përcjellës. Ka raste edhe kur fëmiju nuk mund të përshtatet. Prandaj duhet të ketë komisione ku të dërgohet fëmiu, të determinojë se a është i gatshëm”, ka theksuar ajo.

Lidhur me rastin, televizioni ka provuar të marrë përgjigje edhe nga MASHTI, por e njëjta, nuk i është përgjigjur interesimit.