Rasti i grave greviste në Kuvend në pritje të vendimit gjyqësor, Sindikata beson në epilog pozitiv
Tashmë pak njerëz ka që nuk i njohin punëtorët teknike greviste të Kuvendit të Kosovës. Këto të fundit qëndruan me muaj të tërë para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste për ngritje të pagave, njohje të ditëve të mohuara të pushimit dhe kthimin në punë nga kompania private, e kontraktuar nga Kuvendi i Kosovës. I […]
Tashmë pak njerëz ka që nuk i njohin punëtorët teknike greviste të Kuvendit të Kosovës.
Këto të fundit qëndruan me muaj të tërë para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste për ngritje të pagave, njohje të ditëve të mohuara të pushimit dhe kthimin në punë nga kompania private, e kontraktuar nga Kuvendi i Kosovës.
I zhgënjyer nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës është shprehur Kryetari i Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi, marrë parasysh se askush nuk e ngriti zërin për grevistet që kishin mbi 20 vite pune në këto institucione.
Ai tha se Sindikata i ka mbështetur këto punëtore.
“Inspektorati i Punës ka nxjerrë raport zyrtar në favor të këtyre punëtoreve. Kanë hyrë në grevë në mënyrë ligjore, kanë qëndruar në grevë në mënyrë ligjore dhe janë larguar nga puna në mënyrë joligjore. Kompania ka marrë dy dënime. 90 për qind e këtyre punëtoreve tanimë janë sistemuar në vende të tjera të punës me ndihmën e Sindikatës”, deklaroi Azemi për EO.
Ky i fundit pret që kompania të bëjë pagesën e këtyre punëtorëve që nga tetori i vitit të kaluar e deri në përfundim të procesit të kësaj lënde.
“Kur nuk u ndihmuan këtyre punëtoreve me pagë 270 euro që të kthehen në punë, atëherë realisht këtu nuk ka mbetur as Parlament, as Qeveri, as nuk ka mbetur asgjë. E vetmja gjykata është ajo që shpresojmë dhe jam i bindur që ajo do të vlerësojë rastin ashtu siç edhe është”, tha për Ekonomia Online, Azemi.
Rrjeti i Grave të Kosovës ka mbështetur vazhdimisht gratë punëtore teknike të Kuvendit të Kosovës duke bëri thirrje publike për zgjidhje urgjente përgjatë tërë mujave sa ishin në grevë.















