Avokati i familjes të së moshuarës, Meshari Selimaj, ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme për të liruar nga paraburgimi i tri të dyshuarve në rastin “Orenda”.

Incidenti për të moshuarën u bë i njohur pas publikimit të një videoje. Kjo tregonte të moshuarën gjersa keqtrajtohej nga një infermiere, e që veprimet e kësaj të fundit përqesheshin nga dy të tjera që regjistronin videon dhe nuk parandalonin keqtrajtimin në fjalë.

Tri infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, u ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës.

Selimaj tha se ky vendim ka ndodhur në një moment kur nuk ka përfunduar procedura hetimore, dhe akoma pa u bërë një muaj që nga vendimi i marrë.

Ky vendim sipas tij është tërësisht i kundërligjshëm.

“Një vendim tërësisht i kundërligjshëm është marrë nga ana e gjykatës Suprem për të ndërpre masën e paraburgimit…në një moment ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore…dhe akoma pa u bërë një muaj kemi një vendim të marrë”, ka thënë Selimaj në emisionin “Five”.

Ai tha se ky vendim e dobësuar besim në sistemin gjyqësor të Kosovës palës së dëmtuar por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ky vendim pikësëpari e dobëson besimin e pales së dëmtuar dhe publikut në sistemin e gjyqësorit, pasi kemi me disa veprime të cilat kanë një sjellje të vrazhdë ndaj një personi sic është e moshuara”, ka shtuar Selimaj.

Ai tha se gjykata e shkallës ë parë dhe ajo e apelit e kishin lënë në fuqi këtë vendim, por që sipas tij doli Supremja e ndryshoi.

E kjo sipas tij është një përkëdhelej që po i bën të pandehurave.

“Gjykata e shkallës së parë edhe ajo e Apelit e kishin lënë në fuqi e doli Supremja dhe e ndryshoi një vendim të tillë..ndonëse ky vendim nuk është dënim meritor, nuk e vërteton fajësinë e as pafajësinë…në një formë është një ledhatim që po i bëhet të pandehurave”, ka shtuar Selimaj.