Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) ka zhvilluar të shtunën një aksion simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke e rrethuar atë me “shirit të rrezikshmërisë”.
Përmes këtij aktiviteti, RDK-ja tha se synon të tërheqë vëmendjen për atë që e konsideron shkelje të Kushtetutës nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Sekretari organizativ i RDK-së, Altin Gjata, gjatë një konference për media, deklaroi se shiriti i vendosur para Qeverisë përfaqëson një alarm për, siç tha ai, një mënyrë qeverisjeje që po largohet nga rendi kushtetues, normat ligjore dhe përgjegjësia institucionale.
“Shiritin e rrezikshmërisë po e vendosim aty ku e ka vendin, në një zonë ku çdo ditë po kryhet një krim ndaj Republikës së Kosovës. Dhe nuk bëhet fjalë për çfarëdo krimi, por për një nga shkeljet më të rënda që mund t’i bëhet shtetit tonë: shkeljen e Kushtetutës dhe rrezikimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Gjata.

Ai theksoi se, sipas RDK-së, asnjë individ apo subjekt politik nuk mund të qëndrojë mbi institucionet e vendit.
“Mesazhi ynë është i qartë: asnjë individ, asnjë grup dhe asnjë parti politike nuk është dhe nuk do të jetë kurrë mbi Republikën e Kosovës. Sepse një pushtet pengmarrës që del jashtë kufijve kushtetues është rrezik për secilin qytetar dhe për vetë shtetin”, shtoi ai.
Gjata iu referua edhe betimit të Albin Kurtit dhe disa anëtarëve të kabinetit qeveritar si deputetë më 6 gusht, duke pretenduar se ata po vazhdojnë në mënyrë të jashtëligjshme ushtrimin e funksioneve ekzekutive.
Sipas tij, Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar si pasojë e asaj që RDK-ja e cilëson bllokadë të shkaktuar nga Kurti dhe LVV-ja.
“Kur institucionet i nënshtrohen vullnetit të një grupi partiak me mendësi uzurpuese, në shpërputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, demokracia vihet në rrezik dhe shteti rrëshqet drejt anarkisë”, përfundoi Gjata.
