Reagon Krasniqi, pasi Thaçit iu ngrit një aktakuzë e re: Drejtësia të bazohet në fakte, jo në rishkrimin e historisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në lidhje me proceset gjyqësore në Hagë. Ky reagim vjen pas njoftimit për shtimin e një aktakuze ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për pengim të drejtësisë, ndërsa ai ka katër vite që qëndron në paraburgim. Ngrihet aktakuzë e re ndaj Hashim […]
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në lidhje me proceset gjyqësore në Hagë.
Ky reagim vjen pas njoftimit për shtimin e një aktakuze ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për pengim të drejtësisë, ndërsa ai ka katër vite që qëndron në paraburgim.
Ngrihet aktakuzë e re ndaj Hashim Thaçit
“Njoftimi i fundit nga Zyra e Prokurorit Special, se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.
Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për z. Hajredin Kuçi.
Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë?”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi vlerësoi luftën çlirimtare të Kosovës si të drejtë, fisnike dhe të bazuar në të drejtën universale për liri dhe dinjitet.
Krasniqi apeloi që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale dhe të bazohen vetëm në fakte dhe parime ligjore.
“Të gjithë e dijmë se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri.
Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.
Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.















