Kryeministri i Kosovës, ka reaguar pasi ish-kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Deçan, Bilall Hadërgjonaj, ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti rrugorë.

Kryeministri ka thënë se është  “i tronditur nga lajmi se ka humbur jetën në një aksident komunikacioni Bilall Hadërgjonaj, ish-kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Deçan. Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen Hadërgjonaj, që kanë humbur njeriun e tyre të dashur”.

Më tej Kurti ka theksuar se i ndjeri ka qenë edhe ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës në Brigadën 134 UÇK-së.

“Z. Hadërgjonaj ka qenë një inxhinier i specializuar i bujqësisë, anëtar i Brigadës 134 të UÇK-së, kandidat për kryetar komune me subjektin tonë në zgjedhjet e vitit 2013 dhe asambleist në Komunën e Deçanit. Më pas ai mori vendimin të ndryshojë subjekt e të japë kontribut diku tjetër. Ne do të ruajmë prej tij kujtime të mira e respekt për angazhimin dhe kontributin e tij jetësor. U prehtë në paqe!”, ka përfunduar Kurti.