Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar publikisht pas intervistimit të tij nga organet e rendit dhe drejtësisë lidhur me rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook, ai ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet e ngritura për korrupsion dhe ka thënë se është i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i qartë dhe i njohur për opinionin publik.

Peci ka shprehur mirënjohje për qytetarët, miqtë dhe familjarët që kanë treguar shqetësim dhe solidaritet pas lajmit për intervistimin e tij.

“Të dashur qytetarë, miq e familjarë;

U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Me theks të veçantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!

Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare.

Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim.

Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!”, ka shkruar Peci në Facebook.