Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka folur për statusin e tij që ka shkruar në rrjetin social Facebook, në lidhje me kandidatin e propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj, ku ka thënë se ky status i tij është politik.

Ndërsa, drejtuesi i emisioni Debat Plus, Ermal Panduri, e ka pyetur se “a ke mundur që ta bësh dje këtë status pa u arrestuar një person që është kryeshef i KEK-ut, i emëruar nga Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje?

“Këto që po i thua i kam ngritur edhe nëpër emisionet e tjera, pra nuk është hera e parë që e përmend këtë fakt”, ka thënë ai.

Qysh e ke parë arrestimin e një personi, i cili dyshohet për përfshirje në keqpërdorim të detyrës zyrtare?

“Nëse më ke thirr, të kërkojë të më dëgjosh, sepse jam rrugës dhe për hire të respektit edhe dëgjuesve të Debat Plusit, unë vetë të thirra në telefon dhe nuk është ideja që të ik nga ballafaqimi. Ajo që po them unë është se ai ka qenë anëtar i LVV-së dhe e pashë një tendencë që ta lidhin emrin e Martin Berishës dhe emrin tij[ Nagip Krasniqit, drejtorit të KEK-ut, i cili u arrestua nga policia e Kosovës] të krijojnë rëndomtë situata opozitare, të cilat mund të jenë të paqena”, ka thënë ai.

“Edhe ndërlidhja e këtij rasti është në vazhdën e dilemës sime, pra të pyetjes retorike time dhe si i tillë, unë kam të drejtë ta bëj këtë, ma lejon dhe demokracia a pajtohemi a jo, nuk e di, kjo është e tëra çfarë mund të them”, ka thënë ai.

Ndërsa, më poshtë mund ta lexoni statusin e plotë të deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhës.

“Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetëror (presidentja, kryeministri e kryeparlamentari), e megjithatë do që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.