Reçica dhe tre zyrtarët e tjerë lirohen nga akuza për korrupsion lidhur me tenderin për autostradën e Gjilanit

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berishës, Leonora Limanit dhe Mirdit Eminit, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u bë të hënën nga gjykatësi, Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Konxheli, të akuzuarit e lartcekur lirohen nga akuza, pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria.

Ndërkaq, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Ndërsa, pala e dëmtuar në këtë rast për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest juridiko-civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021, Betim Reçica po akuzohet se si ushtruesi i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës, gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues OE “Gjoka Konstruktion”, edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili për shumën prej 1 milion e 630 mijë e 487 euro kishte ofruar çmim më të ulët. Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Reçica akuzohet edhe se si sekretar i përgjithshëm në MI nxori vendim për pagesën e shtesave në pagë për 14 zyrtarë të kësaj ministrie, edhe pse ishin të angazhuar në detyra të rregullta. Po ashtu, akuzohet se ka nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj. Me këto veprime, Reçica ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”.

Reçica ngarkohet edhe për “Shpëlarje të parave”, se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturë që e ka regjistruar në emër të vëllait.

Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen se për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë të paraqitura në tenderin për ndërtimin e autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomikë që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve. Me këto veprime, ngarkohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe e ka shpallur këtë OE të përgjegjshëm, përkundër faktit se e ka ditur se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore.

Me këto veprime, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”./BetimiperDrejtesi

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika