Redaktimet nga aktakuza e Thaçit dhe të tjerëve planifikohen të hiqen deri më 30 janar
Në konferencën para trupit gjykues që po mbahet në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, deklaroi se trupi gjykues planifikon të urdhërojë që të hiqen të gjitha redaktimet në aktakuzë deri më 30 janar të vitit 2023. “Tani që jemi afër të fillojmë […]
Në konferencën para trupit gjykues që po mbahet në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, deklaroi se trupi gjykues planifikon të urdhërojë që të hiqen të gjitha redaktimet në aktakuzë deri më 30 janar të vitit 2023.
“Tani që jemi afër të fillojmë gjykimin, trupi gjykues mendon se shumë prej redaktimeve janë të panevojshme më dhe cenojnë të drejtat të akuzuarve. Trupi gjykues do të marrë hap pas hapi masa që informacioni që ata nuk e dinë t’u vihet në dispozicion”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndër të tjera, ai tha se ndonëse shumë prej redaktimeve në materialet provuese mund të jenë të domosdoshme dhe proporcionale në fazat e para të procesit, shumë prej tyre, tani më janë të panevojshme.
Sipas tij, mendimi i tyre paraprak është që të gjitha redaktimet në materialet provuese që ZPS synon të përdorë apo të tregojë lidhur me 40 dëshmitarë të tjerë, duhet hequr parimisht 30 ditë para gjykimit.
Ai tha se trupi gjykues synon që kjo të jetë në 30 ditë para gjykimit, dhe jo 30 ditë para dëshmisë, respektivisht 30 janar.
Ndërkaq, ai tha se masat mbrojtëse do të mbeten në fuqi sa i përket publikut të gjerë.
Ndryshe, aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.















