Pas dy ditësh bisedimesh me liderin kinez Xi Jinping, presidenti Donald Trump refuzoi të angazhohej për një shitje armësh ndaj Tajvanit, një lëvizje që shihet si fitore për Kinën.
Në bordin e “Air Force One”, Trump u tha gazetarëve se ai dhe Xi kishin diskutuar “në detaje të mëdha” çështjen e Tajvanit gjatë takimeve të tyre, por shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse SHBA do ta mbronte Tajvanin në rast të një konflikti me Kinën, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Trump shtoi se për shitjen e armëve ndaj Tajvanit, “do të marrë një vendim brenda një periudhe të shkurtër.”
Por një pauzë, nëse mund të interpretohet kështu, do të ishte një fitore për Kinën. Edhe pse Trump mund të ndryshojë qëndrim dhe të miratojë një marrëveshje armësh, komentet e tij se “do ta shqyrtojë” çështjen i japin hapësirë liderit kinez.
Trump gjithashtu përsëriti argumentet e Xi mbi këtë çështje, duke u thënë gazetarëve se Xi kishte deklaruar gjatë bisedimeve se Kina e ka pasur Tajvanin për mijëra vite dhe se “nuk dëshiron të shohë një lëvizje për pavarësi.”
Sipas politikës së kahershme “Një Kinë”, SHBA pranon pozicionin e Kinës se Tajvani është pjesë e saj, por kurrë nuk e ka njohur zyrtarisht pretendimin e Partisë Komuniste mbi ishullin vetëqeverisës.
Washingtoni mban marrëdhënie të forta jozyrtare me Tajvanin dhe i ka shitur miliarda dollarë armë të avancuara ishullit, me mbështetje dypartiake, por ka mbetur qëllimisht i paqartë nëse do të ndërhynte ushtarakisht në rast të një sulmi kinez.
Sipas Aktit për Marrëdhëniet me Tajvanin, që ekziston prej dekadash, Washingtoni është i detyruar me ligj t’i sigurojë Tajvanit mjetet për t’u mbrojtur.
Megjithatë, disa zyrtarë amerikanë dhe tajvanezë kanë frikë prej kohësh se Trump mund ta përdorë Tajvanin si kartë negociuese me Kinën.
