Regjistrohen deputetët e LVV-së, thonë se i kanë numrat për qeverinë
Ndër të parët që ka shkuar të enjten në Kuvendin e Kosovës për t’u regjistruar si deputet ka qenë Albin Kurti. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e përfundoi këtë procedurë, por pasi doli nga objekti i legjislativit vazhdoi refuzimin që t’u përgjigjet mediave. As dy ditë pas refuzimit të bashkëpunimit me të nga LDK-ja, Kurti nuk […]
Ndër të parët që ka shkuar të enjten në Kuvendin e Kosovës për t’u regjistruar si deputet ka qenë Albin Kurti.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e përfundoi këtë procedurë, por pasi doli nga objekti i legjislativit vazhdoi refuzimin që t’u përgjigjet mediave.
As dy ditë pas refuzimit të bashkëpunimit me të nga LDK-ja, Kurti nuk tregoi nëse i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë, apo për këtë ka kërkuar ndihmë nga PDK ose AAK.
Ndërsa zëvëndësja e tij e Ministrja e Jashtme në detyrë, po thotë se Qeveria Kurti 3 do të formohet.
“Dihet kush do ta formojë qeverinë me 15 apo më vonë. Me votat e nevojshme”, ka thënë Donika Gërvalla.
Optimist është edhe ministri tjetër në detyrë, ai i Financave, Hekuran Murati.
“Patjetër që po, sipas Kushtetutës, me vota të deputeteve të Kuvendit. Për të gjitha këto, edhe siç thashë më herët është çështje e subjektit, pra Vetëvendosjes. Patjetër që do t’i kemi votat. 61 vota i kërkon Kushtetua, por sa më shumë sa më mirë”, ka thënë Murati.
Ndërsa, deputeti tjetër i cili erdhi për tu regjistruar ishte ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Edhe sipas tij Lëvizja Vetëvendosje i ka votat për të krijuar shumicën parlamentare.
“Numrat janë, 61 e më shumë dhe ato do të bëhen me deputetë të Republikës së Kosovës. Ne e dimë se i kemi numrat dhe do ta bëjmë me deputetë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Bahtiri.
Për t’u regjistruar ditën e sotme kanë ardhur edhe deputetë tjerë të Vetëvendosjes, ndër ta edhe Halil Thaçi, i cili tha se deri tani kanë siguruar 63 vota të deputetëve dhe tha se shpreson që do ta bëjnë Qeverinë edhe pa PDK-në.
Sipas tij, Kryeministër do të jetë Albin Kurti dhe Kryepalamentar Glauk Konjufca.
Regjistrimi i deputetëve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Të premten, do të regjistrohen deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, të hënën do të regjistrohen deputetët e koalicionit AAK–Nisma, si dhe përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë.















