Një problem i gjerë teknik në platformën “Cloudflare” ka shkaktuar rënie të përkohshme të shumë uebfaqeve në mbarë botën, përfshirë edhe në Kosovë. Shumë përdorues që tentuan të vizitojnë portale të ndryshme – mes tyre edhe rrjete sociale si “X” – u përballën me mesazhe gabimi që tregonin qartë se shërbimi i Cloudflare po haste vështirësi.

Cloudflare, një prej sistemeve më të rëndësishme të infrastrukturës së internetit sot, funksionon si “mur mbrojtës” mes vizitorëve dhe serverëve. Ai mbron faqet nga sulmet kibernetike dhe ndihmon në menaxhimin normal të trafikut.

Prandaj, çdo problem me të ka efekt zinxhiror në shumë faqe që mbështeten te kjo teknologji.

Kompania ka njoftuar se është në dijeni të incidentit dhe ka nisur hetimet.

“Jemi në dijeni të rastit, dhe po heton çështjen që potencialisht ka prekur shumë klienta. Detajet e mëtejme do të bëhen të ditura sapo të ketë diçka në dispozicion”, ka bërë të ditur Cloudflare.

Madje edhe platforma “Down Detector”, e cila monitoron rëniet dhe problemet e uebfaqeve, u bë vetë viktimë e këtij defekti teknologjik, duke mos funksionuar për disa minuta.

Problemi është shfaqur rreth orës 12:00 të së martës dhe ka prekur pothuajse të gjitha rajonet.