Republika Sërpska kërcënon qytetarët e Bosnjës dhe të Kosovës me veto për heqjen e vizave
Prindërit e aktorit Alban Ukaj nga Prishtina kanë vizituar Sarajevën vetëm dy herë përgjatë 22 vjetëve sa ai jeton atje. Ata nuk e vizitojnë, sepse për këtë u duhen vizat, dhe procedurat [për pajisje me vizë] janë të vështira dhe e vrasin dinjitetin, thotë Ukaj. Njoftimet se vizat mund të hiqen pas nënshkrimit të marrëveshjes […]
Prindërit e aktorit Alban Ukaj nga Prishtina kanë vizituar Sarajevën vetëm dy herë përgjatë 22 vjetëve sa ai jeton atje. Ata nuk e vizitojnë, sepse për këtë u duhen vizat, dhe procedurat [për pajisje me vizë] janë të vështira dhe e vrasin dinjitetin, thotë Ukaj.
Njoftimet se vizat mund të hiqen pas nënshkrimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, nga nëntori i vitit 2022, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë të diskutueshme pas bllokimit të ri nga entiteti Republika Sërpska (RS).
“Do të vijë koha për të marrë përgjegjësinë për rrezikimin e lirive themelore të njeriut”, thotë Ukaj duke komentuar njoftimin e politikanëve nga entiteti i Republikës Sërpska për bllokimin e mëtejmë të marrëveshjes.
Heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar prej vitesh nga politikanët nga Bosnja dhe Hercegovina, entitete të kryesuara nga presidenti Millorad Dodik, që është në krye të Aleancës qeverisëse të Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD).
Deputetët e Asamblesë Kombëtare të RS-së do të diskutojnë për veton e anëtares së Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, e cila deklaroi se është mbivotuar në seancën e fundit të kreut kolektiv të shtetit, të martën, më 27 qershor.
Bllokada të reja po afrohen pas fjalimit të fundit të Cvijanoviq, përndryshe zyrtare e SNSD-së, e cila e ka quajtur këtë çështje si shkatërruese për interesin jetik të entitetit të Republikës Sërpska.
Cvijanoviq ka përmendur inicimin e vetos për shkak të “përshkallëzimit të krizës në veri të Kosovës”, duke thënë se “regjimi” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “nuk meriton përfitime”.
Më 21 qershor, ajo paralajmëroi inicimin e vetos, si një mundësi kushtetuese për anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, e cila do të çimentonte më tej marrëveshjen për regjimin pa viza.
“Kjo i përket shekullit XV dhe vret dinjitetin njerëzor. Koha kalon dhe ne nuk e kthejmë dot. Prindërit po plaken, ne po plakemi dhe kjo është gjëja më tragjike për mua”, shprehet aktori 43-vjeçar, Alban Ukaj, i cili ka lindur në Prishtinë, ndërsa jeton dhe vepron në Sarajevë.
Ai shton se nuk e përjashton mundësinë që për shkak të shkeljes së të drejtave elementare të njeriut, t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Ku e sheh problemin Cvijanoviqi?
Njëra nga tri marrëveshjet për lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor, të cilat u nënshkruan në nëntor të vitit 2022 si pjesë e procesit të Berlinit, i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa dy marrëveshjet e tjera janë për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, të doktorëve të stomatologjisë dhe të arkitektëve.
Në rastin e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës kjo nënkupton edhe heqjen e regjimit të vizave, i cili prej vitesh i ka rënduar banorët e të dyja vendeve, raporton REL, përcjell Dukagjini.com.















