Reshjet e shiut, shtyjnë procesin e korrje-shirjeve në disa komuna
Jemi në fund të qershorit, por Mehmet Merovci nga Lipjani ende nuk ka filluar me punën për korrje-shirjeve. Shiu i ditëve të fundit në Kosovë, ka qenë shkas që ai, por edhe bujqit e tjerë të kësaj komune, mos të fillojnë me korrjen e grurit. “N’varet prej kushteve klimatike, me qenë që para dy ditëve […]
Jemi në fund të qershorit, por Mehmet Merovci nga Lipjani ende nuk ka filluar me punën për korrje-shirjeve.
Shiu i ditëve të fundit në Kosovë, ka qenë shkas që ai, por edhe bujqit e tjerë të kësaj komune, mos të fillojnë me korrjen e grurit.
“N’varet prej kushteve klimatike, me qenë që para dy ditëve ka ra një sasi e konsiderueshme e shiut, ndikon edhe në grurin pasinuk bon me qenë i lagësht kur bëhet korrje-shirja. Nëse është prezente lagështia në tokë në kokerr të grurit, është problem mu korr, nëse është lagështia mbi 13%”, ka thënë Mehmet Merovci-Bujk nga Lipjani.
Merovci, shton se nëse nuk do të ketë më shi, grurin do të fillojnë ta korrin javën që vjen.
Për dallim nga Lipjani e disa komuna të tjera, në Prizren e Suharekë korrje shirjet janë afër fundit.
Megjithëkëtë, në fillim të punës, bujqit kanë ngritur një shqetësim.
“Te çmimi i grurit të dorëzuar, kemi informacione jo zyrtare se rreth 19 cent është çmimi në mullire. Këtu është ankesa e buqëve pasi është një çmim i ulët dhe nuk e mbulon koston e prodhimtarisë së grurit në Kosovë. Bujqve ju kushton minimum 25 deri 27 cent për kilogram, andaj nëse nuk do të ishin subvencionet do të punonin më humbje”, ka deklaruar Tahir Tahiri – Kryetar i Shoqatës së Bujqve.
Pritshmëritë se ky vit do të jetë më i mirë me rendimente, e kanë Shoqata e Mullistëve në Kosovë.
“Sezona ka filluar në regjione të caktume, duke nis nga Prizreni që ka filluar nga java e kaluar. Këtë vit pritshmëritë janë që rendimenti të jenë më të mirë se vitin e kaluar, presim një rendiment mesatar të kënaqshëm dhe një kualitet dukshëm më të mirë të grurit”, ka thënë Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës.
Për këtë çështje, televizioni Dukagjini ka pyetur edhe Ministrinë e Bujqësisë, por të njëjtit, nuk kanë dhënë përgjigje.















