Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka kritikuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se ideja e tyre për një qeveri tranzicioni përfaqëson një hap prapa në vend që të jetë një hap përpara.

Para nisjes së seancës konstituive, Rexhaj theksoi se LDK po tenton të kthehet në bashkëpunim me partitë e vjetra si PDK dhe AAK, në vend se të propozojë një zgjidhje që çon vendin përpara.

“Në vend që të ecim përpara, ata po propozojnë të kthehemi prapa…”, deklaroi Rexhaj, duke e konsideruar këtë qasje si devijim nga vullneti i qytetarëve.

Ai shtoi se rezultatet zgjedhore kanë treguar mbështetje të fortë për kryeministrin Albin Kurti, madje më të madhe, sipas tij, se ajo që kanë pasur figura historike si Ibrahim Rugova dhe presidentja aktuale Vjosa Osmani.

“LDK po kërkon rikthim në të kaluarën, dhe nuk e sheh të mundur të ecë para pa përfshirjen e PDK-së dhe AAK-së. Ne kemi qenë të hapur dhe transparentë në ofertën për bashkëpunim, dhe nuk jemi bllokues,” tha deputeti.

Në përfundim, Rexhaj nënvizoi se nëse nuk arrihet marrëveshje për formimin e qeverisë, zgjedhjet mbesin si alternativa e fundit.