Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025, ku Kosova ka shënuar rezultate të ngjashme me vitin 2022 në shkencë dhe lexim, ndërsa ka rënie në matematikë.
Në testimin e zhvilluar nga 10 deri më 30 maj 2025 morën pjesë 6 mijë e 632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla.
Sipas rezultateve, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë në shkencë, 340 pikë në lexim dhe 350 pikë në matematikë. Krahasuar me vitin 2022, rezultati në shkencë ka mbetur i njëjtë, ndërsa në lexim ka rënë nga 342 në 340 pikë. Në matematikë, rezultati ka rënë për pesë pikë, nga 355 në 350 pikë.
Rezultati më i lartë është shënuar në zgjidhjet kompjuterike, me 359 pikë.
Rezultatet e Kosovës në të katër fushat e vlerësuara mbeten nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Në të tri fushat, vajzat kanë shënuar rezultate më të larta se djemtë. Në shkencë, vajzat kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347. Në lexim, vajzat kanë shënuar 358 pikë, kundrejt 322 pikëve të djemve. Në matematikë, diferenca ka qenë vetëm një pikë, me 351 pikë për vajzat dhe 350 për djemtë.
Sipas gjetjeve, vetëm rreth 21 për qind e nxënësve kanë arritur të paktën Nivelin 2 në shkencë, 15 për qind në matematikë dhe 16 për qind në lexim.
Vëmendje të veçantë në raport i kushtohet edhe mungesave në shkollë. Rreth 54 për qind e nxënësve kanë deklaruar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56 për qind kanë munguar të paktën në një orë mësimore.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se gjetjet e PISA 2025 do të analizohen në detaje dhe do të përdoren si bazë për ndërhyrje dhe përmirësime në sistemin arsimor, të cilat pritet të reflektohen edhe në Strategjinë e re të Arsimit.
Ndër rekomandimet kryesore janë forcimi i njohurive bazë në matematikë, shkencë dhe lexim, zhvillimi i mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve, mbështetja e nxënësve me rezultate të ulëta, zhvillimi i programeve për nxënësit me performancë të lartë, si dhe përmirësimi i vijueshmërisë dhe klimës së të nxënit në shkolla.