Vendin e kanë në kosh, por vend zunë në rrugë.
Pamje si këto, ka nëpër pjesë të ndryshme të kryeqytetit.
Prishtinasit ankohen se problemi me mbeturina po përsëritet vazhdimisht, duke vlerësuar se grumbullimi i tyre nuk po bëhet me ritmin e nevojshëm.
Ata kërkojnë më shumë angazhim nga institucionet përgjegjëse dhe një menaxhim më efikas të pastrimit në kryeqytet.
“Lë shumë për të dëshiruar, mendoj se duhet angazhim shumë i madh”, ka theksuar Qerim Halilaj, qytetar.
Ka prej qytetarëve që fajin për situatën me mbeturina ia lënë vendimmarrjes politike.
“Ai është problem i politikave …”, ka deklaruar Gani Jakupi, qytetar.
Ndërkohë, një prej propozimeve që kanë, është shtimi i numrit të koshave për mbeturina në hapësirat publike të qytetit.
“Ajo është absolutisht shumë e nevojshme, sepse secili qytetarë që ka pak vetdije kur e sheh që ka një kosh për mbeturina e hudh atje mbeturinën, nuk e lëshon në rrugë. Kështu që ato janë të mirëseardhura, kështu që ne veçse kemi qef me ndodhë ashtu”, ka theksuar Qerim Halilaj, qytetar.
Për të marrë sqarime rreth situatës së krijuar, Televizioni Dukagjini ka kontaktuar Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi”, por deri në publikimin e kronikës nuk ishin të qasshëm.
Përgjigje nuk ka kthyer as Drejtoria për Shërbime Publike e Komunës së Prishtinës.
Teksa, përmes një njoftimi publik, kompania “Pastrimi” ka bërë të ditur se është pastruar tërësisht zona përreth Bibliotekës Kombëtare, duke u bërë thirrje qytetarëve që mbeturinat të hidhen brenda kontejnerëve dhe jo në hapësirat publike.