Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, e ka komentuar edhe rastin e përdhunimi të vajzës së mitur 11-vjeçare nga Kosova.

Duke folur për këtë rast, ajo nuk mundi t’i mbante lotët, teksa tha se duhet të punohet shumë që rastet të ngjashme të mos përsëriten më.

“Pak javë më parë, ajo që ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë se sa e rëndësishme është të fokusohemi në keto çështje sociale dhe se sa e rëndësishme është për prindërit dhe komunitetin që të punojnë me të rinjtë që këto ngjarje të mos përsëriten dhe të përmirësohet situata”, u shpreh artistja, raporton Top Chanel.

Ndërkaq, gjatë ditës së hënë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se e mitura 11-vjeçare është dhunuar për më shumë se një vit.

Ai ka thënë se personalisht ka bërë kërkesë te kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), që të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në hetimin e këtij rasti të thirren në cilësinë e dëshmitarit.

Sveçla është shprehur se institucionet e sigurisë kanë dështuar për ta mbrojtur të miturën 11-vjeçare.