Rivarrosen shtatë viktima të masakrës së Krushës së Vogël

Me ceremoni shtetërore, janë varrosur mbetjet mortore të shtatë viktimave të masakrës së Krushës së Vogël.

Në nder të tyre, pak para ceremonisë së rivarrimit është mbajtur një minut heshtje për të gjithë martirët e fshatit.

Trupat e Hysen Zylfiut, Nue Prenkajt, Ahmet Berishajt, Nuredin Shehut e Skifter Batushës, janë rivarrosur të shtunën e 26 marsit.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kurti: Historia e shtetit s’mund të shkruhet pa Krushën e Vogël

Kurti, në një fjalim para ceremonisë së rivarrimit, ka thënë se, historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël dhe Krushën e Madhe.

Sipas tij, kjo histori nuk mund të rishkruhet e as të harrohet, dhe asnjëherë të ndryshohet.

“Historia e shtetit tonë nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël e Krushën e Madhe, nuk mund të shkruhet pa adresimin e dhimbjeve e tmerrit të përjetuar, dëmeve e vuajtjeve të shkaktuara”, ka thënë Kurti.

Siç ka theksuar i pari i ekzekutivit, 23 vjet më pas, po hapen edhe shtatë varre në tokën e Kosovës për viktimat e këtyre të krimeve gjenocidale që vazhdojnë të mohohen nga Serbia.

“Po i nderojmë këta shtatë burra e djem të këtij vendi, të cilët po rikthehen në tokën e tyre, në Krushën e Vogël e të dhimbjes së madhe”, ka shtuar ai.

Shaqir Totaj: Vrasjet, masakrat – janë pjesa më e dhimbshme e jona

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Ai ka thënë se, vrasjet, masakrat, keqtrajtimet, dëbimet e garantimet që i janë bërë popullit civil të Kosovës “do të mbeten pjesa më e dhimshme dhe më e paharruar në kujtimet tona”.

Shpresa Shehu: Dhimbja është e madhe, pritja e rëndë, kërkojmë drejtësi

Kryetarja e fshatit, Shpresa Shehu, ka kërkuar që kriminelët që i shkaktuan këto masakra të vihen para drejtësisë.

“Kërkojmë të vihet drejtësia në vend, se trupat e shpirtërat e tyre kërkojnë shpagim. Kërkojmë që të dënohen të gjithë kriminelët, ngase, vetëm atëherë do të mund të jemi të qetë. Dhimbja jonë, plaga jonë e pashëruar ende gjakon”, është shprehur ajo.

Sipas saj, kjo pamje duhet të trokasë në ndërgjegjen e secilit politikan e qytetar.

Ajo ka potencuar se, çdo vit hapja e varreve hap plagë dhe shkakton dhimbje.

“Por më e madhe është dhimbja duke pritur se kur do të vijë ajo ditë që të identifikohen të dashurit tanë të pagjetur, gjaku i të cilëve na bën dritë dhe ne sot frymojmë të lirë”, ka shtuar ajo.

Andin Hoti: 23 vjet më parë në Krushë u nda njeriu nga bisha, bujaria nga barbaria

Në anën tjetër, Andin Hoti, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka thënë se 23 vjet më parë, Krusha e Vogël e kishte vulosur lirinë e Kosovës, 23 vjet më parë në Kurshë u ndanë njeriu me bishën, e mira me të ligën e bujaria me barbarinë.

“Masakrimi, djegia, zhdukja e burrave, pleqve e fëmijëve vërteton karakterin gjakatar të Serbisë. Sot 23 vjet më pas, Krushës i rikthehet dhimbja dhe i përtërihen plagën ende të pashëruara me varrosjen e eshtrave të shtatë martirëve të familjes Shehu, Zylfiu, Prenkaj, Batusha e Berisha”, është shprehur ai.

Sipas tij, lufta e popullit të Kosovës përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte vetëm luftë e lavidshme, por, siç ka potencuar ai, ishte luftë unike dhe e pakrahasueshme.

“Arma më e fortë e këtij populli nuk ishte antitanku, nuk ishte helikopteri, ishte zemra dhe shpirti liridashës, ishte motivi dhe dashuria për atdheun. Çfarëdo krahasimi i luftës së lavdishme të UÇK-së është edhe i padrejtë edhe i pavend, gjaku nuk bëhet ujë, këtë e dijnë edhe në Beograd edhe në Bruksel”, ka shtuar ai.

Në këtë masakër mbetën të vrarë 112 meshkuj nga mosha 13 vjecare e deri te më i vjetri në moshë.

Pas kthimit nga Shqipëria ishte vrarë edhe një fëmijë 12 vjecar duke rënë në minat e vendosura nga serbët në fshat.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika