Festim Rizanaj nga Hibrid.info ka deklaruar se monitorimi i përditshëm i mediave shtrihet edhe gjatë proceseve zgjedhore, me fokus identifikimin e narrativave dezinformuese dhe ndikimeve hibride.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin 2026 të organizuar nga Instituti Octopus me temën “Integriteti Zgjedhor përballë Kërcënimeve Hibride: Implikimet e Sigurisë nga Ndërhyrja e Huaj”, Rizanaj tha se në periudhat parazgjedhore vërehet shtim dhe amplifikim i narrativave kundër Kosovës, njofton Dukagjini.
Sipas tij, një ndër narrativat kryesore është ajo e “terrori institucional dhe arrestimeve politike”, ku, siç tha ai, mediat serbe i paraqesin veprimet e institucioneve të Kosovës si përpjekje për të goditur komunitetin serb në vend.
“Terrori institucional dhe arrestimet politike – ata i paraqesin ashtu për siç thonë për t’i goditur serbët që jetojnë në Kosovë. Edhe gjykimet për krime lufte po përdoren si narrativë për siç thonë ata për të pamundësuar jetesën e tyre ne Kosovë”, u shpreh ai.
Ai përmendi edhe narrativa të tjera që, sipas tij, përdoren veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore, përfshirë portretizimin e kandidatëve politikë serbë.
“Narrativa tjetër është portretizimi i kandidatëve, si Nenad Rashiq – si i përshtatshmi i Prishtines dhe njeri i Albin Kurtit. Narrativa tjetër është blerja e votës së diasporës – mediat serbe e kanë paraqit si legjitimitet të oponentëve serbë që prapë lidhet me rastin e Nenad Rashiq si një njeri që i ka shitë të gjitha vlerat tek Kurti vetëm për ta dëmtuar Listën Serbe. Narrativa e kolapsit institucional – zgjedhjet e jashtëzakonshme është sipas tyre një argument që shteti i Kosovës që është jo funksional. Narrativa tjetër është armatosja e Kosovës – kush mundet me qenë target përveç serbëve në këtë armatosje”.
“Intervistat me njerëz të cilët shpërndajnë narrativa si Drecun e të tjerë të Serbisë kundrejt Kosovës bëhen nga agjenci lajmesh si Tanjug, të cilat pastaj shpërndahen ne mediat e tjera. Ato shpërndahen edhe në gjuhën shqipe për shembull përmes KosovoOnline”, tha Rizanaja.