Rizvanolli: Bizneset kanë presion nga Oda Ekonomike për të mos nënshkruar kontrata
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se gjashtë furnizues të energjisë janë tashmë aktivë në treg, ndërsa pesë prej tyre kanë ofruar oferta për bizneset. Kjo vjen pak ditë para hyrjes në fuqi të tregut të hapur të energjisë, që pritet të ndodhë në fund të kësaj jave. Rizvanolli ka theksuar se […]
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se gjashtë furnizues të energjisë janë tashmë aktivë në treg, ndërsa pesë prej tyre kanë ofruar oferta për bizneset.
Kjo vjen pak ditë para hyrjes në fuqi të tregut të hapur të energjisë, që pritet të ndodhë në fund të kësaj jave.
Rizvanolli ka theksuar se ky ndryshim prek më pak se 1 për qind të ndërmarrjeve në Kosovë, përkatësisht rreth 300 kompani prodhuese më të fuqishme në vend.
“Ky proces është i përcaktuar me Ligj të energjisë elektrike dhe Kosova është vendi i fundit në rajon që po kalon në këtë tranzicion”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, janë zhvilluar takime me prodhues vendorë dhe odat ekonomike për t’u ofruar informata dhe mbështetje bizneseve në këtë kalim.
Ministrja ka treguar se bizneset kanë shprehur tri shqetësime kryesore: çmimi i lartë si pasojë e konkurrencës së ulët në treg, mungesa e informimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), si dhe paqartësia për shtyrjen eventuale të procesit, që sipas saj ka ndikuar edhe në mosofrimin e ofertave nga furnizuesit.
Rizvanolli ka njoftuar se janë shtuar edhe dy kompani të tjera të licencuara, duke e çuar numrin në 21, prej të cilave gjashtë janë aktive.
Ajo ka deklaruar se qeveria ka organizuar takime të rregullta me bizneset dhe odat, përfshirë edhe një kompani vendore që operon në treg të hapur që nga viti 2017, për të ndihmuar në sqarimin e procesit.
Por, Rizvanolli ka shprehur shqetësimin se disa biznese kanë presion nga Oda Ekonomike e Kosovës për të mos marrë pjesë në këto takime dhe për të mos nënshkruar kontrata.
“Kemi dëgjuar se bizneset kanë presion nga Oda Ekonomike e Kosovës për të mos marrë pjesë në takime dhe mos nënshkruar kontrata. Disa kanë thënë hezitojnë të vijnë në takimin e sotëm pasi nuk ndjehen mirë në një pozitë të tillë. Këta që janë bllokues janë pak, por të zëshëm”, ka deklaruar Rizvanolli.















