Sulmuesi polak Robert Lewandowski mund të jetë duke kaluar muajt e fundit si lojtar i Barcelonës. Sipas raportimeve të fundit nga mediat ndërkombëtare, veterani 37-vjeçar është shumë pranë largimit nga klubi katalanas në fund të këtij sezoni.
Pas katër viteve të kaluara në “Camp Nou”, e ardhmja e Lewandowskit mbetet e paqartë, ndërsa interesim për të kanë shfaqur klube nga MLS, Arabia Saudite, por edhe disa skuadra evropiane.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, nuk ka dhënë garanci për vazhdimin e sulmuesit polak, duke deklaruar: “Gjërat janë ashtu siç janë. Do të shohim çfarë do të ndodhë.”
Lewandowski ka qenë një nga figurat kryesore të Barcelonës që nga transferimi i tij nga Bayern Munich, duke kontribuar me gola dhe eksperiencë të madhe në repartin ofensiv. Megjithatë, mosha dhe ndryshimet që pritet të ndodhin në skuadër mund të çojnë drejt një ndarjeje mes palëve.
Nëse largimi konfirmohet, kjo do të shënonte fundin e një epoke të rëndësishme për sulmuesin polak te gjiganti katalanas.