Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka uruar Pavarësinë e Kosovës, duke theksuar lidhjen e fortë mes dy vendeve.

Në mesazhin e tij për Ditën e Pavarësisë, Rohde vlerësoi hapat e jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë gjatë 17 viteve të fundit në ndërtimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozicionit në arenën ndërkombëtare.

“Sot ju festoni momentin tuaj historik – Ditën e Pavarësisë. Në emër të Gjermanisë dhe të ambasadës gjermane, ju shpreh urimet e mia të përzemërta. Që nga shpallja e Pavarësisë 17 vjet më parë, Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në demokraci, ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Udhëtimi juaj drejt sovranitetit është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria”, ka deklaruar Rohde.

Ai ka shtuar se Gjermania ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një partnere e besueshme e Kosovës, duke punuar krah për krah për të ardhmen evropiane të vendit.

“Marrëdhënia jonë dypalëshe është një shembull i lidhjes së fortë mes kombeve tona. Së bashku kemi arritur shumë dhe do të vazhdojmë të ecim përpara”, ka theksuar ambasadori gjerman.